
Koha kalon ngadalë në Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi”, në qytetin e Elbasanit. Këtu duket se njerëzit jetojnë në një tjetër realitet.
Pamundësia për të përballuar një moment të vështirë në jetë, kushtet e rënda ekonomike e sociale , por edhe trashëgimia gjenetike, i kanë detyruar këta pacientë të vijnë, të ikin, të rikthehen.
Kalvari i vuajtjeve të gjithsecilit prej tyre s’mund të përshkruhet. Gjatë orëve të paradites, ata që janë nën efektin e ilaçeve dhe më të qetë psikologjikisht dalin në ambientet e jashtme të spitalit, të tjerë qëndrojnë dritareve, pa e ditur dhe vetë se çfarë presin. Në momentet e kthjelltësisë, kur sëmundja hesht, ata janë si të gjithë ne. Por, krizat mund të vijnë në çdo kohë, duke vënë në rrezik ata vetë, por edhe mjekët.
Aktualisht ne psikiatrikun e Elbasanit, janë rreth 150 pacientë të cilët nuk i viziton më askush. Nesti dhe Gona jetojnë prej 50 vitesh në këtë spital. Për to nuk ka më shpresa, ambienti përreth dhe sëmundja i ka degraduar keqas.
“Shpesh pacientët braktisen nga të afërmit, nga vështirësia që sjell sëmundja. Familjarët që janë disi më të rregullt në ndjekjen e ecurisë së sëmundjes së tyre janë kryesisht prindërit ose familjarët që e shfaqin për herë të parë sëmundjen. Me kalimin e kohës, individi humb aftësitë dhe bëhet më e vështirë mbajtja gjallë e marrëdhënieve me familjen”, shprehet Adela Muça, psikologe e Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinci”.
Ky spital jo rrallë herë është vënë në qendër të vëmendjes, për shkak të dhunës së pacientëve ose vetëvrasjes së tyre me mjete rrethanore. Kjo sëmundje vë në provë vullnetin e të sëmurëve, por edhe të familjarëve, të cilët shpeshherë janë të parët që i tremben fjalës “psikiatri”.
“Ky spital mbulon një zonë prej 1 milionë e 200 mijë banorë. Duhet akoma punë për sensibilizimin e shëndetit mendor. Akoma është tabu, nëse vjen dhe vizitohesh në spital”, shprehet Mimoza Trimi,Drejtoresh e Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinci”.
Ky është oazi i frymëzimit të tyre, ku i dorëzohen imagjinatës e ku mund të pikturojnë, lexojnë a përgatisin punë dore. Ka 5 vite që Miranda Sheguni është ergoterapistja e tyre, specialistja e nxit krijimtarinë e tyre.
“Nga të gjitha aktivitetet që kemi më këtu më të theksuar kemi punën e dorës, punimet artistike, pikturat, ku disa prej tyre janë shumë të talentuar. Këto aktivitetet që ne i bëjmë këtu më shumë i kemi për panaire, sidomos në ditën e shëndetit mendor”, thotë Miranda, ergoterapiste.
Spitali Psikiatrik i Elbasanit, ka një kapacitet prej 310 shtretërish, por si spitali më i madh rajonal dhe në Shqipëri gjithnjë kjo shifër tejkalohet, duke krijuar mbipopullim. Dhomat ku qëndrojnë të sëmurët janë më 8 shtretër. Spitali nuk është i pajisur me kamera sigurie dhe as me ndonjë shërbim policie në raste emergjence.
Top Channel