Punësimi ligjor në Gjermani, certifikohen 300 të rinj të trajnuar në Shqipëri

24/02/2016 00:00

Lehtësirat ligjore për punësim në Gjermani kanë ulur valën e azilantëve, që u vu re në dy vitet e fundit veçanërisht. Ambasadori gjerman bëri këtë konfirmim, në ceremoninë e certifikimit të rreth 300 të rinjve shqiptarë, të trajnuar këtu nga kompani gjermane për të punuar në Gjermani.

“Unë ndihem i impresionuar që shoh përfaqësues të rëndësishëm të sipërmarrjes gjermane këtu. Përse duhet të shkojmë larg, kur i kemi mundësitë krejt afër Gjermanisë? Pse duhet të shkojmë të shikojmë në drejtim të Azisë, kur kemi mundësi të rekrutojmë këtu punonjës, që jemi jo më larg sesa një orë fluturim larg Mynihut. Këtu kemi të bëjmë me njerëz tepër të zellshëm dhe punëtorë. Në mënyrë të veçantë gratë janë realizuese dhe zbatuese të një pune mjaft të rëndësishme. Burrat përgjithësisht japin mbështetjen e tyre, jo më tepër se kaq”, tha ambasadori Helmut Hoffman.

Çdokush mund të punojë në Gjermani, tashmë që ky shtet ka liberalizuar tregun e punës. Por atij që ka një zanat i garantohet më shpejt kjo mundësi. Ndaj, ministri Blendi Klosi vuri theksin tek arsimimi profesional, që po mbështetet fort veçanërisht nga Gjermania.

“Kemi shumë probleme me mënyrën sesi shqiptarët e perceptojnë arsimin profesional. Por sot është dita, që të gjithë ju këtu, familjet tuaja, kolegët tuaj që kanë aplikuar, të kuptojnë se nëse kanë një diplomë, nëse kanë një profesion, janë të kërkuar jo më nga tregu shqiptar i punës, por edhe nga tregu europian. Prandaj them se, sa më shumë t’i afrohemi arsimit profesional, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne”, tha Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Top Channel