Klosi në Durrës: Punë ka, duhen profesione

24/02/2016 00:00

Në Shqipëri ka punë, por duhen profesionistë. Kështu, ka deklaruar edhe ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi gjatë një bisede të hapur me biznese fasone në qytetin e Durrësit, që sipas tij, ofron mundësi të mira punësimi për të papunët që kanë një zanat.

“Janë 25 subjekte, të cilat kanë kërkuar që me programin e nxitjes së punësimit të kenë mundësi të shtojnë fuqinë punëtorë. Nëse kemi realisht njerëz që synojnë të marrin një pozicion, atëherë në qarkun e Durrësit ekziston mundësia që të gjithëve mund t’i sigurohet një punë. Por që të kemi këtë punë duhet të kemi një zanat”, tha ministri Klosi.

Duke vlerësuar programet e nxitjes së punësimit dhe rolin e biznesit durrsak, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i siguroi bizneset për mbështetje të vazhdueshme nga pushteti vendor, ndërsa për punonjëset e kompanive fasone premtoi lehtësim të kushteve të jetës përmes ngritjes së kopshteve dhe shkollave.

Dako ftoi bizneset që të rrisin kapacitetet dhe vendet e punës, për të ulur nivelin e papunësisë në Durrës. Aktualisht, në Zyrën e Punësimit Durrës janë të regjistruar 8500 punëkërkues.

Top Channel