Reforma në drejtësi, Manjani kërkon ndihmë teknike në Berlin

22/02/2016 13:30

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është takuar këtë të hënë në Berlin me homologun gjerman Haiko Maas, si dhe me sekretarin parlamentar për drejtësinë, Christian Lange.

Gjatë takimit Manjani ka vlerësuar mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë, pa të cilën, siç tha ai, vendi ynë nuk do të ishte në NATO dhe nuk do të kishte as statusin e kandidatit për në BE.

Gjithashtu, Manjani ka vlerësuar se, reforma në drejtësi në Shqipëri ka nevojë për mbështetjen dhe mendësinë gjermane.

“Shqiptarët besojnë tek makinat dhe produktet gjermane, ndaj ne duam që reformës në drejtësi t’i vendosim një motor gjerman, në mënyrë që të fitohet besimi tek drejtësia”, ka thënë Manjani.

Duke falenderuar në këtë drejtim asistencën e misionit EURALIUS, ministri i Drejtësisë ka nënvizuar se, ligjet procedurale në Shqipëri do të hartohen sipas modelit gjerman.

“Kultura gjermane në zbatimin e ligjit është ajo që i duhet Shqipërisë”, është shprehur Manjani.

Ndërsa ministri gjerman Maas, nga ana e tij ka nënvizuar se, reforma në drejtësi është e domosdoshme për anëtarësimin e vendit në BE, ndërsa konsensusi mes palëve për jetëgjatësinë e saj.

“Gjermania është e gatshme të mbështesë Shqipërinë. Së shpejti do të vizitojmë Tiranën për të mbështetur reformën”, ka thënë Maas, i cili u ka bërë thirrje partive politike shqiptare që të çelin dialogun.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA