Prej disa ditësh, një pjesë e Parkut të Liqenit Artificial është rrethuar për t’u shndërruar në kënd lojërash për fëmijë. Kjo ka nxitur një valë pakënaqësie tek banorët e Tiranës dhe ambientalistët për shkak të prerjeve të pemëve.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ishte i ftuar në “Top Show” ku sqaroi dilemat në lidhje me këtë vendim.
Kryetari i Bashkisë foli për arsyet e ndërtimit të këndit të lojërave për fëmijët te Parku i Liqenit Artificial, duket thënë se nëse Tirana do të kishte një buxhet më të madh me siguri do të ndërtoheshin 100 parqe në 100 lagje. Por, sipas Veliajt këto mundësi nuk ekzistojnë dhe ndërtimi i këndit të lojërave të Parku i Liqenit është zgjedhja më e mirë.
“Do të bëjmë një investim gjigand. Parku do të shërbejë për disa grupmosha. Ne do të bëjmë një park identik me atë ku luajnë fëmijët e kryetarit të opozitës në Amsterdam. Nëse fëmijët e tij luajnë në atë park, pse fëmijët e shqiptarëve të kenë të vetmet hapësira për të luajtur qendrat tregtare. Edhe ata kanë të drejtë të kenë një park si ai ku luajnë fëmijët e kryetarit të opozitës dhe ne do ta bëjmë identik”, ka thënë Veliaj.
I pyetur për prerjen e pemëve në hapësirën e rrethuar ku do të ndërtohet këndi i lojërave, Veliaj e ka mohuar këtë gjë duke thënë se trungjet e pemëve në atë zonë janë prerë që në muajin dhjetor, pasi janë të sëmura.
“Ne nuk kemi prerë asnjë pemë. Ato pemë janë prerë që në dhjetor, me procesverbal, të sëmura e me degë të rëna. Është traditë që bëhet që prej kohës së komunizmit, riciklimi i trungjeve të dëmtar. Në të gjithë parkun mund të ketë rreth 100 pemë të tilla të prera dhe trungjet që ndodhen në pjesën ku do të ndërtohet këndi nuk janë prerë tani”, ka thënë Veliaj.
Për sa i përket reagimit të së martës nga këshilltarë të Partisë Demokratike dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët shembën rrethimin e ngritur në Parkun e Liqenit artificial në Tiranë, kreu i Bashkisë së kryeqytetit tha se histeria nuk është alternativë politike.
“Më thoni një rast kur unë në të gjitha vendimet e marra deri tani kam vendosur kundër fëmijëve të kryeqytetit. Këta e kanë mendjen vetëm për të shkatërruar, ndërsa mua më dhemb Tirana. Ndërsa ai që ka ardhur nga Devolli nuk do t’ia dijë, por e ka mendjen vetëm për të shkatërruar. Në 4 vitet e fundit te liqeni janë ndërtuar më shumë 30 kafene. Vërtetësia e fjalëve që them unë dhe e OFJ-së që quhet PD krahasohet me fakte. Si ka mundësi që një njeri që ka marrë vetëm vendime të mira për fëmijët arriti të marrë një vendim të tillë kundra tyre. Më thoni një rast kur kam marrë një vendim kundër tyre. Nga ndryshimi i orareve, tek bursa, tek 31 çerdhet. E vetmja gjë që po themi është, na lini të punojmë. CV-ja ime në këtë kohë ka qenë në interes të fëmijëve të këtij qyteti”, tha Veliaj
Në fund, Veliaj e mbylli i bindur për të përfunduar projektet e nisura në Tiranë, pavarësisht reagimeve për to. “Unë po përgatitem për beteja të reja. Vandalët të vijnë të paguajnë të gjitha gjobat. Tirana do të bëhet me çdo kusht. Tirana do të bëhet qytet shumë herë më i jetueshëm në fund të këtij mandati se çe gjetëm para 6 muajsh”, përfundoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Top Channel