Draftrezoluta e Fleckenstein, negociatat pas reformës

16/02/2016 12:10

Me një gjuhë relativisht pozitive, draftrezoluta e hartuar nga raportuesi Knut Fleckenstein, inkurajon Komisionin Europian për të paraqitur raportin e ndërmjetëm me synimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, sapo të miratohet reforma në drejtësi.

Një çështje që, megjithëse mbizotëron në 6 faqet e dokumentit, përbën dhe Amendamentin e parë mbi tekst, me propozim të vetë hartuesit social-demokrat, edhe me pëlqimin e PPE-së, që pa nisur shqyrtimi në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian.

Me “keqardhje”, draftrezoluta vëren “debatin e pakuptimtë” dhe “mungesën e frymës së bashkëpunimit dhe kompromisit tek delegacioni shqiptar” të vërejtur gjatë takimit të fundit ndërparlamentar. Ndërsa vlerësohet miratimi i ligjit të ashtuquajtur “për dekriminalizimin”  dhe marrja e disa masave nga Tirana, në dokument “mbetet shqetësimi për korrupsionin e gjithëpërhapur, veçanërisht në arsim, shëndetësi, gjyqësor, prokurim publik, qeverisjen lokale”.

Nga autoritetet vendase kërkohet një ligj “për mbrojtjen e informatorëve” dhe përmirësimi i dëshmive mbi “hetimet, ndjekjet e dënimet në të gjitha nivelet” për rastet e korrupsionit, por dhe të krimit të organizuar, ku shënohet një numër i ulët dënimesh.

Përsëriten gjetjet e raportit të Komisionit mbi zgjedhjet lokale të 2015-s, lirinë e medias (AMA e TVSH),ekonominë, zbatimin e të drejtave themelore, veçanërisht për minoritetet dhe grupet vulnerabël të shoqërisë, si dhe zgjidhjen e çështjes së pronave.

Ndërsa njeh rolin konstruktiv në rajon, si zakonisht dhe dialogun ndërfetar në vend, draftrezoluta e PE-së vëren me shqetësim se “Shqipëria është e prekur nga fenomeni i luftëtarëve të huaj dhe radikalëve islamik”.

Eurodeputetët kanë afat deri më 25 shkurt për të paraqitur amendimet e tyre pranë Komitetit të Jashtëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA