Turqia mohon raportimet se disa prej ushtarëve të saj kanë hyrë në Siri. Këtë e bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve Anadollu, e cila citon ministrin e mbrojtjes Ismet Yilmaz.
“Nuk ka asgjë të vërtetë”, këmbëngul ministri. Në komentet e tij për një komision parlamentar, Yilmaz tha gjithashtu se nuk po konsideronte dërgimin e trupave atje. Ai hodhi poshtë edhe pretendimet se avionë lufte të Arabisë Saudite kishin mbërritur në Turqi për të ndihmuar në operacionet kundër Shtetit Islamik, por shtoi se ishte marrë një vendim që Arabia të dërgonte 4 F-16a.
Në disa letra dërguar OKB-së, Siria u ankua se Ankaraja kishte lejuar hyrjen e rreth 100 ushtarëve ose mercenarëve turq. Siria beson se personat e armatosur duan t’i ofrojnë mbështetje rebelëve që luftojnë në Damask. Ajo i kërkoi organizatës të veprojë kundër bombardimeve turke në veri të Sirisë, duke e cilësuar këtë si një shkelje të sovranitetit të vendit.
Në letra thuhet se bombardimet e artilerisë turke në territorin sirian përfaqësojnë një mbështetje të drejtpërdrejtë për organizatat e armatosura terroriste. “Siria do të ruajë të drejtën e saj legjitime për të reaguar ndaj krimeve e sulmeve turke dhe për të kërkuar dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar”, pohojnë autoritetet.
Turqia nisi bombardimet ajrore kundër forcave kurde përgjatë fundjavës për të penguar avancimin e tyre në rajonin verior të Alepos. Kurdët po marrin kontrollin e disa zonave nga forcat rebele, që gjithashtu po luftojnë kundër presidentit Bashar Al Asaad. Ankaraja i konsideron milicitë kurde në Siri si aleate të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit e cila prej një dekade zhvillon një fushatë të dhunshme për sigurimin e autonomisë në Turqi.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera i mbështesin milicitë kurde në Siri në luftën e tyre kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik. Qeveria franceze parlajmëroi për një përkeqësim të situatës në Alepo dhe në Sirinë veriore, duke bërë thirrje për ndërprerjen e bombardimeve si nga ana e regjimit dhe aleatëve të tij, ashtu edhe nga ana e Turqisë.
Një kërkesë e ngjashme u bë më herët edhe nga SHBA. Gjatë takimit në Mynih ditën e enjte, liderët botërorë ranë dakord për ndërprerjen e luftimeve brenda një jave. Por Rusia pretendon se armëpushimi nuk duket të jetë i vlefshëm edhe për sulmet e saj ajrore, që sipas Moskës shënjestrojnë terroristët, por që në të vërtetë kanë anuar balancin e luftës në favor të qeverisë siriane.
Top Channel