Unioni i Prokurorëve në vend ka dalë kundër projektligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit, jo vetëm sepse nuk reflekton vendimin e qershorit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, por edhe sepse bie ndesh me Kodin e Proçedures Penale, si edhe sepse ka paqartësi.
Në qëndrimin kundër, Unioni i Prokurorëve thekson se nuk është parashikuar se cila është veprimtaria e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Së dyti, arsyetojnë prokurorët, kjo Byro është përcaktuar si shërbim i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Por, duke qenë se objekti i veprimtarisë së Byrosë është i ndryshëm nga kompetencat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak se hyjnë si subjekte nën hetim edhe zyrtarët me imunitet që hetohen nga Prokuroria e Përgjithshme e gjykohen nga Gjykata e Lartë, Unioni thotë se ky ndryshim është në kundërshtim me Kodin e Proçedurës Penale.
Por, pika më e rëndësishme që sipas Unionit prek edhe prokurorin e përgjithshëm ka lidhje detyrimin që i adresohet kreut të akuzës për të caktuar një apo më shumë prokurorë për të shërbyer me kohë të plotë pranë BKH-së. Në këtë pikë, Unioni kundërshton:
1 – “Në një ligj të thjeshtë, i cili parashikon krijimin dhe organizimin e një organi ligjzbatues, nuk mund, në këndvështrimin tonë të të lexuarit të ligjit, të parashikohen detyrime për një organ të pavarur kushtetues, detyrime të cilat cënojnë statusin dhe funksionet e këtij të fundit. Dispozitat ligjore në fuqi kanë përcaktuar qartë se prokurori drejton hetimet dhe Policia Gjyqësore është në dispozicion të tij nga aspekti proçedurial”.
2 – “Kompetenca lëndore është përcaktuar në Kodin e Proçedurës Penale dhe nuk lind nga ky ligj, ashtu siç sugjerohet të bëhet në paragrafin e dytë të këtij neni. Komandimet e prokurorëve bëhen nga Prokurori i Përgjithshëm, në përputhje me ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë…”, ligj ky i miratuar me shumicë të cilësuar”.
Më tej Unioni del kundër edhe për faktin se projektligji për BKH-në përjashton prokurorin që do të caktohet pranë kësaj njësie nga ushtrimi i ndjekjes penale, duke i dhënë vetëm një rol mbikëqyrës dhe se, nuk përcakton asnjë parashikim për përfaqësimin në gjykim të çështjeve.
Ne rastin kur prokurori i përgjithshëm mundet të caktojë vetëm një prokuror pranë BKH-së, a mundet ky prokuror i vetëm të mbikëqyrë të gjithë veprimtarinë hetimore të BKH-së? – pyet Unioni.
Unioni e çmon si të paqartë marrëdhënien që krijohet mes prokurorit pranë BKH-së, i cili do të mbikëqyrë veprimtarinë e BKH dhe prkurorit të caktuar për hetimet. Unioni pyet sërish:
“Në ç’raport do të qëndrojnë këta prokurorë? Kush do të vendosë për veprimet hetimore? Kush do t’i urdhërojë këto veprime hetimore? Kush do të urdhërojë punonjësit e BKH-së?”.
Duke kundërshtuar edhe ngritjen e një komisioni që do të asistojë me ekspertizë e këshilla për funksionimin e BKH-së, Unioni thekson se institucionet shqiptare kanë dhe duhet t’i marrin vetë këto përgjegjësi.
Top Channel