Papa Françesku e nisi rrugëtimin e shumëpërfolur drejt Kubës e Meksikës pas një jave tepër të ngarkuar me evente jubilare. Udhëtimi simbolik i Atit të Shenjtë në vendin e tyre të munduar nga dhuna, i ka çuar peshë zemrat e besimtarëve meksikanë.
Dashuria për papën argjentinas është i madh, ashtu siç është entuziazmi i vendasve përpara vizitës së tij të parë në Meksikën me popullsinë e dytë më të madhe katolike në botë. 81% e meksikanëve, sipas “Peë Research Centre” identifikohen si katolikë. Këta njerëz ndiejnë se, një amerikano-latin, siç është Papa Bergoglio, e kupton më mirë popullin e Meksikës.
Në mediat botërore, megjithatë, vëmendjen më të madhe e ka pushtuar një moment kyç i këtij udhëtimi apostolik: ndalesa në Havanë dhe ai, që do të jetë takimi i parë i një pape me një patriark të Moskës, që prej ndarjes së kishës në 1054-tën.
Ky cilësohet si një nga ato momente të rralla, kur krerët kishtarë shkruajnë një faqe të re në histori. Françesku kishte thënë në mënyrë të përsëritur se, ishte i gatshëm për një takim me Kirilin në çfarëdo lloj vendi – e tashmë, kjo do të realizohet në kryeqytetin kubanez.
Patriarku Kiril ndodhet në vendin komunist prej disa ditësh, ndërsa Françesku do të ndërpresë fluturimin për në Meksikë. Aktualisht Moska është për distancim nga perspektiva perëndimore, e kursi i Ortodoksisë ruse për afrim me shtetin ngjall jo pak shqetësim.
Ndaj dhe shtrëngimi i duarve i Havanës konsiderohet një surprizë, ndërsa fakti që dy udhëheqësit fetarë do të nënshkruajnë një dokument bashkëpunimi tregon se, ky nuk është thjesht një takim kortezie.
Top Channel