Një mijëvjeçar ndarjeje, Papa Françesku përqafohet me Patriarkun Kirill

12/02/2016 00:00

Papa Françesku mbërriti në Havana gjatë pasdites së kësaj të premteje, ku ishte parashikuar një takim me kreun e Kishës Ortodokse ruse, rreth 1.000 vite pas përçarjes së ortodoksëve të lindjes me Romën, duke shënuar kështu takimin e parë në histori mes një pape të Kishës Katolike romane me patriarkun e Ortodoksisë ruse.

Dy udhëheqësit fetarë, të ftuar specialë të qeverisë së vendit ishullor komunist, më i madhi i Karaibeve, pritet të adresojnë grindjet njëmijëvjeçare mes degëve perëndimore dhe lindore të Krishtërimit.

Presidenti kubanez, Raul Castro, dhe kardinali Jaime Ortega, i cili është edhe përfaqësuesi më i lartë i kishës në Kubë, përshëndetën Atin e Shenjtë pas zbritjes nga aeroplani, disa minuta përpara se Papa Bergoglio të takohej me partiarkun Kirill.

Papa Françesku, i veshur si gjithnjë me të bardha dhe me kësulë mbi kokë, dhe Kirill, i veshur gjithashtu me një kapelë të bardhë, por me një pelerinë që “derdhej” mbi veshjen e tij ngjyrë të zezë, shtrënguan duart dhe u puthën në të dyja faqet, në momentin që ndodheshin brenda terminalit të aeroportit.

Më pas ata u ulën për diskutime, së bashku me ndihmësit e secilës palë, në krah të tyre. Ata pritet të bashkohen me një apel për dhënien fund të persekutimit dhe vrasjes së të krishterëve në Lindjen e Mesme.

Takimi i tyre, i njoftuar vetëm një javë më parë, pritet të bartë edhe tone politike, pasi vjen në një moment mosmarrëveshjesh mes Rusisë dhe Perëndimit mbi konfliktet e Sirisë dhe Ukrainës.

Papa Françesku pritet të qëndrojë në Kubë për rreth 3 orë e gjysmë, përpara se t’i drejtohet Meksikës për një vizitë 5-ditore. Kirill mbërriti në Havana të enjten, ku u mirëprit nga Castro, një aleat i Rusisë gjithashtu, i cili ka pritur edhe Atin e Shenjtë rreth 5 muaj më parë.

Papa nga Argjentina ka luajtur edhe më herët një rol për riafrimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, dy vende që rikthyen marrëdhëniet diplomatike pas plot 54 vitesh armiqësi, që prej Luftës së Ftohtë.

Ndërsa tani, Papa synon të riparojë një thyerje edhe më të gjatë. Ortodoksia Lindore u nda nga Roma në vitin 1054, ndërsa sot, kisha ruse numëron rreth 165 milionë të krishterë ortodoksë, nga 250 milionë që janë në total.

Kirill, i cili do të qëndrojë më gjatë në ishull, do të vizitojë gjithashtu kishën e vogël ortodokse ruse të Kubës, e ndërtuar mes viteve 2004-2008. Presidenti rus, Vladimir Putin ka mbështetur kishën ruse, e cila nga ana e saj mbështet politikat e jashtme të Kremlinit, mbi të gjitha ato në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta