Izraeli nuk vonon pas akuzave ndaj Hamas për shkelje të armëpushimit, kryen 3 sulme ajrore në veri të Gazës Gjatë një interviste ekskluzive dhënë për gazetaren Christiane Amanpour të CNN, ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif ka folur në lidhje me disa çështje, por duke u fokusuar në 3 drejtime kryesore: te fakti që Arabia Saudite është mbërthyer nga “paniku” i një reduktimi të mundshëm të tensioneve mes Teheranit dhe Perëndimit, së dyti ka shprehur kënaqësinë e tij për familjarët e amerikanëve të burgosur më parë në Iran, tashmë të liruar, e në fund te ajo që ai e quajti si “fiksimi” i Shteteve të Bashkuara me sanksionet.
“Ne nuk mund të zgjedhim të luftojmë me Arabinë Saudite”, ka theksuar ndër të tjera kryediplomati iranian. “Ne besojmë se, Irani dhe mbretëria saudite mund të jenë dy lojtarë të rëndësishëm që mund t’i përshtaten njëri-tjetrit, që mund të plotësojnë njëri-tjetrin në rajon”.
Megjithatë, “fatkeqësisht, sauditët kanë pasur gjithnjë iluzionin se, të mbështetur nga aleatët perëndimorë, ata do të mund të mos e përllogarisnin Iranin në rajon, apo më shkoqur, ta nxirrnin jashtë ekuacionit rajonal Republikën Islamike”, ka shtuar më tej Javad Zarif.
Zarif u shpreh më tej se aleanca mes Arabisë Saudite dhe kombeve të Perëndimit, si dhe tensionet mes këtyre të fundit me Iranin, kanë ngritur një “re pluhuri” që u ka lejuar sauditëve “të eksportojnë ideologjinë e tyre vehabiste të ekstremizmit”. E për ata që nuk janë në dijeni, vehabizmi është një degë e Islamit sunit, që praktikohet në Arabinë Saudite.
Gjithsesi, shpresat për marrëdhënie më të mira mes Iranit dhe Perëndimit janë të larta, sidomos pas implementimit që prej javës së kaluar të marrëveshjes së arritur me mundim në korrik të vitit të kaluar, për të lehtësuar sanksionet në këmbim të garancive për natyrën paqësore të programit bërthamor të Iranit.
Zarif theksoi për të disatën herë faktin se, 15 nga 19 rrëmbyesit e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2011 ishin sauditë, duke fajësuar kështu “ideologjinë vehabiste” për ekstremizmin e dhunshëm që po shihet kohët e sotme në Lindjen e Mesme, por realisht edhe në Perëndim.
Në lidhje me marrëveshjen bërthamore me Iranin, ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir është shprehur gjatë së martës se, vendi i tij është thellësisht skeptik. “Nuk kemi besim tek Irani, – ka thënë ai. – Megjithatë, kemi besim te Shtetet e Bashkuara”.
Tensionet afatgjata mes Iranit dhe Arabisë janë shtuar së tepërmi kohët e fundit. Duke filluar që nga viti i kaluar, kur dy vendet kanë marrë pjesë në një luftë që nuk u përket atyre, në Jemen, ku sauditët ndërhynë kundër xhihadistëve. Por problemet reale u shtuan vetëm pak ditë nga Viti i Ri, kur Arabia Saudite ekzekutoi 47 persona, mes të cilëve edhe një klerik të lartë shiit. Për pasojë, qeveria iraniane shprehu indinjatën e saj dhe shumë protestues të dhunshëm sulmuan Ambasadën saudite në Teheran. Nga këtu, mbretëria arabe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike, gjë që e ndoqën edhe 6 vende të tjera të Lindjes së Mesme, të cilat fajësuan Iranin se kishte dështuar të mbronte diplomatët dhe vet ambasadën.
Por edhe për këtë, Zarif pati diçkapër të thënë. “Ne nuk presim aspak, madje as nuk jemi të interesuar, që të nxjerrim jashtë loje Arabinë Saudite nga rajoni ynë. Kjo, sepse Arabia është një lojtar tepër i rëndësishëm në Lindjen e Mesme. Ne kemi qenë gjithnjë pjesë e komunitetit të kombeve, por vetëm kohët e fundit, aleatët e tyre kanë kuptuar se Irani është një partner serioz”.
Zarif ka qenë ndoshta arkitekti i marrëveshjes së nivelit të lartë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, për të shkëmbyer të burgosurit politik mes dy vendeve respektive. Sipas saj, amerikanëve iu liruan 5 shtetas, mes të cilëve edhe gazetari i “Washington Post”, Jason Rezaian, ndërsa iranianët morën mbrapsht 7 shtetas, që mbaheshin të burgosur mbi akuza që lidheshin me sanksionet e vendosura deri pak kohë më parë ndaj Iranit.
“Jemi pikërisht të tillë njerëz, një popull i tillë, që implementon dhe përmbush deri më një premtimet e dhëna. Jam i lumtur për familjarët e të liruarve, sikurse edhe për familjen e Jasonit, të cilët tashmë jetojnë së bashku me të dashurit e tyre. Ne besojmë se kemi ndërmarrë vepra të ligjshme”.
E megjithatë, këmbimi i të burgosurve dhe marrëveshja bërthamore nuk nënkuptojnë që Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë papritmas aleatë. Vetëm pak pasi hoqi një sërë sanksionesh mbi programin bërthamor të Iranit, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja mbi entitetet dhe individë iranianë, lidhur me programin e raketave balistike të vendit, gjë që sipas amerikanëve “përbën një kërcënim domethënës ndaj sigurisë rajonale dhe globale”.
“Ne besojmë se nuk ka asnjë bazë ligjore, – tha Zarif për sanksionet e reja. – Nuk ka asnjë bazë reale dhe besoj se janë të panevojshme. Shtetet e Bashkuara janë të fiksuara pas raketave. Mund ta quaj këtë fiksim, sepse i tillë është kur disa në SHBA mendojnë vetëm për sanksione dhe presione”.
“Dua të bëj një krahasim me duhanpirësit… Ata e dinë mirë që asnjë sanksion nuk u bën punë, sepse fiksimi i tyre me duhanin i bën që të mos heqin dorë prej tij”.
Top Channel