Fuqitë e mëdha bien dakord për armëpushim në Siri

12/02/2016 00:00

Fuqitë botërore ranë dakord të kërkojnë ndalimin e luftimeve në Siri brenda një jave, nismë kjo që nuk përfshin betejat kundër Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusra.

Në Mynih të Gjermanisë, ministrat e grupit ndërkombëtar “Mbështetja për Sirinë” u pajtuan gjithashtu edhe me përshpejtimin dhe zgjerimin e përpjekjeve të ndihmës.

Në terren, sakaq, ushtria siriane e mbështetur nga ajri prej avionëve të Moskës, ka vazhduar avancimin në provincën e Aleppos, kontrollin e së cilës regjimi i Bashar al-Assadit e kërkon me çdo kusht. Një lëvizje e tillë rrezikon të lërë të bllokuar me dhjetëra mijëra sirianë në pjesët e qytetit të rëndësishëm të Aleppos, që janë aktualisht në duart e rebelëve.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry e pranoi se, plani i armëpushimit është mjaft ambicioz dhe se, testi i vërtetë do të jetë respektimi i tij nga palët në konflikt.

“Ajo çfarë kemi këtu janë thjesht fjalë të hedhura në letër. Në ditët në vijim do të shohim sa veprime do të ketë realisht në terren”, tha John Kerry.

Një “task force” e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të punojë për implementimin e pushimzjarrit përmes konsultimeve mes fraksioneve në luftë. Skepticizmi, megjithatë është i madh, e disa diplomatë që tani thonë se kjo nismë nuk “vlen as sa letra, në të cilën është shkruar”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta