
Presidenti francez, Francois Hollande ka emëruar Jean-Marc Ayrault në postin e ministrit të Jashtëm, pas dorëheqjes së 69-vjeçarit Laurent Fabius që prej së mërkurës, një largim që vjen si pjesë e një riformatimi të kabinetit qeveritar francez.
Ayrault, ashtu sikurse edhe Fabius, është një ish-kryeministër që ka udhëhequr qeverinë franceze nga viti 2012 deri në 2014-n. Detyra e parë e ministrit të ri të Jashtëm francez është marrja pjesë ditën e shtunë në bisedimet mbi Sirinë, në konferencën e mbajtur prej pak ditësh në Mynih të Gjermanisë.
Veç ministrit të Jashtëm, edhe kreu i “Të gjelbërve”, Emmanuelle Cosse është emëruar ministër i Strehimit, ndërsa poste më të ulëta u janë dhënë edhe dy politikanëve të tjerë nga kjo parti.
Segolene Royal, një ish-kandidate presidenciale dhe ish-partnere e Hollande, ka marrë një portofol më të zgjeruar, duke u bërë ministre e Mjedisit, Energjisë dhe Oqeaneve, siç u bë e ditur nga pallati presidencial “Elysee”.
Fabius është konsideruar gjerësisht si arkitekti i politikës së jashtme ndërhyrëse, që pa trupat luftarake franceze të marrin pjesë në luftimin e militantëve në Mali, si dhe të marrin pjesë në sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara ndaj të ashtuquajturit grupi i Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, gjatë viteve të fundit.
Fabius, pas dorëheqjes si ministër i Jashtëm është emëruar kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Francës, që verifikon përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën franceze.
Top Channel