Siria, Rusia dorëzon propozimin për armëpushim

11/02/2016 00:00

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka njoftuar dorëzimin e një propozimi për armëpushim në Siri, në përfundim të takimit të fuqive botërore në Mynih të Gjermanisë, pasditen e kësaj të enjteje. Edhe pse Lavrov nuk dha detaje të hollësishme mbi planin, është e kuptueshme që ai parashikon një armëpushim duke nisur nga data 1 mars.

Ndryshe nga Moska, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar fundin e menjëhershëm të luftimeve në Siri, për shkak të dyshimeve se Rusia mund të jetë duke u dhënë kohë trupave qeveritare siriane, që gjatë këtyre 3 javëve të mposhtin forcat rebele. Kjo edhe për shkak të sulmeve ajrore ruse mbi provincën e Aleppos, që bëhen në ndihmë të avancimit të mëtejshëm të ushtrisë siriane.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Raad al-Hussein dëshiron që fuqitë botërore të sigurohen sa më shpejt përpara thirrjes së bisedimeve në Gjenevë, me synimin për të gjetur një zgjidhje politike për dhënien fund të konfliktit, pas pezullimit të javës së kaluar.

“Palët ndërluftuese në Siri janë duke u zhytur vazhdimisht në thellësi të reja, pa u shqetësuar aspak për vdekjet dhe shkatërrimin që po përhapin në mbarë vendin”, tha al-Hussein. “Kjo është një situatë groteske”.

Më shumë se 250 mijë njerëz kanë vdekur gjatë luftës civile thuajse 5-vjeçare në Siri, ndërsa 11 milionë të tjerë janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre, për shkak të përplasjeve të vazhdueshme mes forcave besnike të Presidentit, Bashar al-Assad, dhe kryengritësve rebelë që kundërshtojnë regjimin e tij. Por jo vetëm, pasi shqetësim i madh mbetet edhe kërcënimi i të ashtuquajturit Shteti Islamik dhe militantëve xhihadistë të këtij grupimi ekstremist.

Takimi i së enjtes i Grupit ndërkombëtar në Mbështetje të Sirisë (ISSG) në Mynih vë përballë njëri-tjetrit 17 vende, mes të cilëve aleatë dhe kundërshtarë të Presidentit Assad. Lavrov dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u takuan mes tyre përpara bisedimeve, për të diskutuar atë që ministri i Jashtëm rus e përshkroi si një propozim armëpushimi “thuajse specifik”. “Ne do të presim për përgjigjen e Amerikës përpara se ta paraqesim atë para ISSG-së”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta