
Tani nuk ka më asnjë pikëpyetje. Projektligji i qeverisë për Byronë Kombëtare të Hetimit nuk pranohet nga opozita. Lulzim Basha e cilësoi atë një variant të njëanshëm dhe provokativ.
“Nuk do të votohet, sepse një draft i tillë, në vend që t’u hapë rrugë hetimit të korrupsionit dhe krimit, mbyll dosjet e korrupsionit dhe bëhet mburojë për krimin. Sepse një variant i tillë dorëzon hetimin penal te qeveria, çfarë është e papranueshme dhe s’është në përputhje me asnjë model europian, as me Kushtetutën e Shqipërisë, as me draftin e rakorduar me partnerët amerikanë, dhe as me rekomandimin e ‘Venecias’”, tha kreu i PD-së, Basha.
Lulzim Basha ishte i qartë, kur foli për pikën që ndan palët te Byroja e Hetimit.
“Pika që na ndan është dakordësimi, që ky institucion duhet të jetë 100% nën autoritetin e Prokurorisë, siç e parashikon Kushtetuta, siç parashikon Komisioni i Venecias, siç jemi rakorduar me partnerët tanë amerikanë”, vijoi më tej Lulzim Basha.
Por, tani që palët zbuluan plotësisht qëndrimin politik për projektligjin, fati i tij nuk është edhe aq i qartë. Sipas procedurës parlamentare, ai duhet të kalojë te Komisioni i Ligjeve, por kryeparlamentari Ilir Meta e shmangu një përgjigje përfundimtare dhe la të hapur mundësinë, që ligji të diskutohet edhe te komisioni i reformës në drejtësi, por gjithmonë në dakordësi me opozitën.
“Ne pa opozitën mund ta kishim bërë në çdo kohë, por e kemi të vështirë të punojmë pa opozitën. E kemi shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur. Ku të dojë opozita le të shqyrtohet, qoftë te komisioni i reformës në drejtësi, qoftë te Komisioni i Ligjeve, apo edhe te të dyja bashkë”, theksoi kreu i Parlamentit, Meta.
Në vend të opozitës ka folur kryeministri Rama, i cili për të treguar se nuk ka ndryshuar qëndrim nga java e kaluar, e vendosi ligjin e “Byrosë” nën juridiksionin e komisionit për reformën në drejtësi.
“Nuk iu kushton asgjë, që ju të dilni këtu e të thoni: Jemi dakordësuar me këtë draft, por tani kemi ndryshuar mendim dhe mendojmë njësoj siç mendonte kryeministri dhe qeveria, që pavarësisht dakordësisë, kjo është pjesë e procesit të reformës në drejtësi”, theksoi nga foltorja e Kuvendit, Edi Rama.
Kjo çfarë thotë Rama është në fakt, ajo çfarë i vjen për shtat edhe opozitës, që ashtu si paketa për drejtësinë, edhe ky ligj t’i nënshtrohet të njëjtit komision, i cili nga ana e tij, fjalën e fundit për çdo gjë që bën e pret nga Komisioni i Venecias. Zhurma e madhe mes palëve duket se është si gjithmonë për të njëjtën gjë, ose më saktë për asgjë.
Top Channel