NATO ka vendosur të dërgojë anijet e saj për patrullim në detin Egje, për t’i dhënë fund trafikimit të emigrantëve nga Turqia në Greqi.
Njoftimin e bëri Sekretari i Përgjithshëm i Aleances së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg, pas një kërkese të paraqitur nga Turqia, Gjermania e Greqia, në takimin e ministrave të Mbrojtjes në Bruksel.
Misioni, – sqaroi Stoltenberg, – nuk synon ndalimin apo kthimin mbrapsht të anijeve me refugjatë. NATO-ja, – shtoi shefi i aleancës ushtarake, – do të kontribuojë me mbikëqyrje dhe informacione të një rëndësie kyçe për frenimin e trafikut të qenieve njerëzore.
“Tri luftanije po dërgohen në zonë pa vonesë, për të nisur aktivitetet e kontrollit detar. Arsyeja e marrjes së këtij vendimi është t’u vihet në ndihmë Turqisë dhe Greqisë, që ta menaxhojnë këtë tragjedi njerëzore më mirë nga sa kanë bërë deri tani”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Më herët, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter përcolli bindjen se, shënjestrimi i asaj që e cilësoi “një sindikatë kriminale, e cila po shfrytëzon fatkeqësinë e njerëzve të varfër”, do të ketë impaktin më të madh humanitar.
“Planet do të hartohen nga autoritetet ushtarake të Aleancës. Ato do të shqyrtohen dhe mundësisht do të implementohen”, ka thënë zoti Carter. Në një konferencë për shtyp, shefi i Pentagonit ka theksuar se, “goditja e grupeve kriminale që shfrytëzojnë këta njerëz të varfër do të ishte impakti humanitar më i madh”.
Njësia detare e 2-të e NATO-s, e komanduar prej Gjermanisë, do të udhëheqë operacionin në bashkëpunim me rojet bregdetare turke dhe greke. Sipas OKB-së, gati 75 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë mbërritur në shtetin helen nga deti vetëm në 2016-n, ndërsa deri tani gjatë këtij viti, në përpjekjet për të kaluar Mesdheun kanë humbur jetën më shumë se 400 vetë.
Top Channel