Bujar Nishani nuk u mjaftua vetëm me dekretin e kthimit për rishqyrtim në Parlament të ligjit të pronave. Dy ditë pasi ky dekret u rrëzua në Kuvend dhe ligji i pronave hyri në fuqi në variantin final pa asnjë ndryshim, kreu i shtetit njoftoi dërgimin e tij në Gjykatë Kushtetuese.
Duke nisur me vetëdijen se mirëpret qëllimin e qeverisë për të trajtuar në mënyrë përfundimtare çështjen e zvarritur prej më shumë se dy dekadash të pronës, kreu i shtetit thotë se ktheu ligjin në Kuvend me bindjen se kërkohet një debat më serioz, profesional dhe i kujdesshëm rreth këtij ligji.
Por, në argumentin e kreut të shtetit, ligji në tërësinë e tij cënon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut, si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Duke argumentuar më tej se çështja e pronës është e një rëndësie madhore për qytetarët shqiptarë dhe një nga prioritetet kyçe të hapjes së negociatave me BE-në, presidenti gjen këtu arsyet për dërgimin e ligjit në Kushtetuese.
Kreu i shtetit ktheu në fundvit ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave duke u deklaruar kundër skemës së qeverisë për zgjidhjen e problemit të ish-pronarëve.
Presidenti argumentoi se formula e propozuar për të dyja kategoritë, atyre që iu është njohur titulli i pronësisë por nuk e kanë marrë atë, sikundër edhe ata që do të aplikojnë për njohjen e pronës, bie ndesh me parimin e sigurisë juridike. Vlera e kompensimit, argumentonte presidenti, bën të pabarabartë përpara ligjit ish-pronarët.
Partia Demokratike gjithashtu u deklarua kundër ligjit të pronave, me argumentin se ua rimerr pronarëve tokën, ndërsa mazhoranca e akuzoi presidentin se zgjati qëllimisht nxjerrjen e dekretit deri në afatin e fundit, në mënyrë që Shqipëria të mos ketë asgjë konkrete në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, që do të zhvillohet më 30 janar.
Top Channel