Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi u shpreh se ka një dritë në fund të tunelit për situatën financiare globale. Në ditën e tretë të Forumit Ekonomik të Davos, Draghi deklaroi se kriza e refugjatëve është një sprovë, e cila nëse kalohet me bashkëpunimin e të gjitha palëve, atëherë kjo minimizon frikën se trazirat në tregjet globale do të shënojnë edhe fillimin e një recesioni.
Për presidentin e BQE-së, është e vërtetë se viti 2016 ka filluar me luhatje të tregut apo edhe me një ndjeshmëri të rritur ndaj rrezikut, megjithëse shtoi se është tepër herët të thuhet se bazat ekonomike kanë ndryshuar për keq.
Ai shtoi se Eurozona po vijon rikuperimin, ndonëse me një ritëm modest, kjo për shkak të stimulit të BQE-së, çmimeve më të ulëta të naftës dhe një lehtësimi në programet e kursimit. Draghi po ashtu lehtësoi ankthin e tregjeve financiare, teksa tha se BQE-ja do të ofrojë më shumë stimuj në muajin mars për të rritur nivelin e inflacionit të Eurozonës më afër objektivit të saj, i cili do të jetë më poshtë se 2%.
Takimi në Davos po ashtu shërbeu për të risiguruar investitorët se nuk duhet të kenë frikë, pasi Europa -tha Draghi- ka shumë instrumente që nuk i lënë të dështojnë.
Forumi Ekonomik Botëror u mblodh në një moment delikat për Unionin pasi ardhja e më shumë se 1 milion refugjatëve vitin e shkuar, do të pasohet me të njëjtën valë edhe në vitin 2016.
Mario Draghi e mbylli fjalën e tij duke thënë se “është e nevojshme që Europa të tregojë vendosmëri, besim dhe gatishmëri për të bashkëpunuar sepse një sfidë e tillë kaq e madhe, sa ajo e refugjatëve, mund të ndikojë në uljen e besimit dhe të bëjë që frika të mbizotërojë në instancat e larta të Unionit e më pas edhe sfida te humbet”.
Top Channel