Njerëzimi kërcënohet nga një sërë rreziqesh të krijuara nga dora e vet, rreziqe që nëse nuk menaxhohen si duhet, mund të çojnë në zhdukjen e tij.
Ky është paralajmërimi i radhës i shkencëtarit të famshëm britanik, Stephen Hawking. Ai thotë se një luftë e mundshme bërthamore, ngrohja globale dhe viruset e modifikuara gjenetikisht prej vetë njeriut në laboratore, janë skenarët më të mundshëm që mund t’i japin fund jetës në planetin tonë…të paktën në formën që njohim sot.
Hawking shton se progresi i mëtejshëm në shkencë dhe teknologji vjen me efekte anësore, duke rritur në mënyrë progresive edhe rriskun që “gjërat të shkojnë keq”.
Shkencëtari britanik shton se njerëzimi mund të mbijetojë nëse do të jetë në gjendje që të identifikojë dhe të kolonizojë planete të tjera ku mund të jetojë.
“Mundësitë për një katastrofë në Tokë brenda një viti janë shumë të vogla, por me kalimin e viteve këto rreziqe sa vijnë e shtohen dhe brenda pak shekujsh do të bëhen reale”, thotë Hawking.
Shpëtimi, sipas tij, është kolonizimi në hapësirë.
“Deri atë herë duhet të jemi përhapur në hapësirë dhe të jemi në gjendje për të udhëtuar në sisteme të tjera yjore. Kjo do të na shpëtonte nga një katastrofë në Tokë, që nuk do të përkthehej më në një zhdukje të njerëzimit”, shton shkencëtari britanik.
Megjithatë, sipas tij, njeriu nuk do të jetë në gjendje që të ndërtojë koloni të pavarura në hapësirë për të paktën 100 vite.
“Ndaj, gjatë kësaj periudhe duhet të tregohemi të kujdesshëm me atë që bëjmë këtu në Tokë”, thotë Hawking.
Ky nuk është paralajmërimi i parë i astrofizikanit britanik. Në të shkuarën, në më shumë se një rast, ai ka paralajmëruar rrezikun që vjen nga ajo që njihet si “AI”, apo inteligjenca artificiale, ku njerëzimi mund të përballet me një skenar të ngjashëm me atë të filmave Terminator; NJERIU VS MAKINERITË E NDËRTUARA PREJ DORËS SË TIJ.
Top Channel