Kura e kancerit për të shëruar sklerozën e shumëfishtë

18/01/2016 16:30

Skleroza e shumëfishtë prek mijëra persona çdo vit dhe nëse nuk merr trajtimin e duhur në kohë, mund të çojë deri në paralizë të personit që e vuan atë.

Nëse kapet në faza fillestare, kjo sëmundje mund të kurohet, por nëse është në një fazë të avancuar nuk ka asnjë kurë kundër saj, të paktën deri më tani.

Studiuesit britanikë deklarojnë se pacientë të prekur nga skleroza e shumëfishtë kanë treguar shenja përmirësimi pasi janë trajtuar përmes një metode zakonisht të përdorur për të luftuar kancerin.

Bëhet fjalë për metodën që përdor qelizat staminale. Këto qeliza merren nga gjaku i pacientit dhe më pas rriten në laborator. Ato janë në një fazë të re dhe nuk kanë të shfaqur “çrregullimin” që shkakton sklerozën e shumfishtë.

“Përmes kësaj metode, sistemi imunitar po rindizet, rifreskohet duke u kthyer pas në një pikë të kohës, para se të shfaqej sëmundja”, shpjegon me terma më të thjeshtë, profesori John Snowden, pjesëmarrës në studim.

Pas rritjes laboratorike të qelizave staminale të shëndetshme, ato injektohen tek pacienti pasi më parë hiqen qelizat e infektuara.

Deri më tani, duke përdorur këtë metodë janë kuruar 20 pacientë në Britaninë e Madhe, megjithatë, autorët e studimit tregohen të rezervuar, duke kërkuar pak më shumë kohë për të vërtetuar 100 përqind suksesin e kësaj metode.

Skleroza e shumëfishtë është “çrregullim” i sistemit imunitar i cili nis e sulmon vetveten duke shkaktuar dëmtime të nervave dhe të shtyllës kurrizore. Simptomat e para i jep nga mosha 20 deri në 40 vjeç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA