Dhënia e shërbimeve me koncesion, FMN: Kujdes, kosto për buxhetin

18/01/2016 15:25

Të gjendura përballë mungesës së parave, vitet e fundit qeveritë kanë preferuar që një sërë shërbimesh publike t’i kalojnë te privatët si koncesione apo forma të tjera të partneritetit publik-privat.

Sipas një raporti të fundit të FMN-së, deri më tani Shqipëria ka nënshkruar të paktën 55 marrëveshje të partneritetit publik-privat.

Por, ndonëse në fillim këto marrëveshje nuk kërkojnë investime nga paratë publike, pasi kryhen nga privatët, herët a vonë qytetarët dhe buxheti duhet të paguajnë për to.

Në shumë nga këto koncesione, qeveria ka marrë përsipër të kompensojë privatët nëse këta nuk arrijnë fitimin e synuar, dhe kostoja është duke u rritur me shpejtësi.

Sipas FMN, vetëm nga 55 koncesionet e firmosura deri më tani, buxheti ka krijuar angazhime apo detyrime sa 7 për qind e prodhimit kombëtar.

Nga këto, 2 për qind vijnë nga koncesioni i skanimit në dogana, një për qind e prodhimit kombëtar është kosto që vjen nga koncesioni i “check up”-it dhe po kështu, detyrime do të ketë edhe për marrëveshje të tjera si ai i landfilldit të Elbasanit, koncesioni i pritshëm i Rrugës së Arbrit, apo ai i Durrës-Kukës.

Kalimi i një sërë shërbimeve te privatët në formën e partneritetit publik-privat është një shqetësim jo i ri për FMN-në.

Edhe më parë, ky institucion ka kërkuar kujdes në këto marrëveshje, pasi – sipas tij, – shumë prej tyre fshehin borxhin publik dhe në një fazë të mëvonshme mund të krijojnë kosto të mëdha për financat e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA