Juncker: 2016, vit i vështirë. Prioritet zhvillimi ekonomik dhe punësimi

15/01/2016 17:50

Qytetarët europianë do të hasin vështirësi për të gjetur punë gjatë vitit 2016 dhe ekonomia do të vuajë pasojat e kolapsit të lëvizjes së lirë brenda Europës për shkak të krizës së refugjatëve, e konsideruar si më e rënda që prej Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker deklaroi në konferencën e parë për shtyp të këtij viti, të njoftuar si rrallë herë vetëm 45 minuta përpara mbajtjes së saj, se “zhvillimi ekonomik dhe punësimi mbeten prioriteti kyç” për ekzekutivin europian, ndërsa shpjegoi dhe lidhjen e brishtë të tyre me funksionimin e Schengenit.

“Schengen është një prej arritjeve më të mëdha të procesit të integrimit europian. Pa Schengen, pa lëvizjen e lirë të punëtorëve, pa lirinë e qytetarëve europianë për të udhëtuar, euro nuk ka kuptim. Ngjashëm qëndron lidhja mes Schengen, lëvizjes së lirë dhe tregut unik. Më pak Schengen do të thotë më pak punësim e më pak zhvillim ekonomik”, deklaroi Juncker.

Udhëheqësi i vjetër i Luksemburgut  u shpreh se, “nuk ka shumë iluzione për 2016-n”, pasi sipas tij, “gjithçka do të jetë edhe më e vështirë”.

Por kreu i ekzekutivit europian theksoi se nuk dorëzohet kur bëhet fjalë për gjetjen e zgjidhjes europiane në vend të vendimeve nacionale, si rivendosja e kontrolleve kufitare. “E refuzoj idenë se ky është fillimi i një fundi”, tha Juncker.

Nga ana tjetër, ai u shpreh i bindur se gjatë muajit shkurt do të arrihet një marrëveshje me Britaninë e Madhe, çka do të mundësojë që ky shtet, edhe pas referendumit, të mbetet anëtar i BE-së.

“Çështjet e vëna në tryezë nga kryeministrik britanik janë të gjitha shumë të vështira dhe Komisioni po bën aq sa mund të bëjë. Jam mëse i sigurt se do të kemi një marrëveshje, jo një kompromis, por një zgjidhje përfundimtare në Shkurt”, tha Juncker.

I pikëlluar për debatin mbi Poloninë, 61-vjeçari i djathtë sqaroi se Komisioni Europian nuk ka probleme me Poloninë dhe polakët, por me disa veprime të qeverisë atje.

Ndërkohë që pas një konflikti 40-vjeçar marrëdhëniesh të ngrira, ai shprehu pritshmëri pozitive për bashkimin e mundshëm të Qipros brenda 6-mujorit të parë të vitit, çfarë do të ndihmonte, sipas tij, dhe në avancimin e negociatave të anëtarësimit me Turqinë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA