Brukseli përmirëson imazhin, telefonata për të mësuar ç’po ndodh në qytet

09/01/2016 16:50

Ushtarë të veshur me uniforma e që patrullojnë rrugët me kalldrëm, shkollat dhe metrotë e mbyllura. Ky është imazhi që është krijuar për Brukselin për shkak të lidhjeve të Belgjikës me sulmet terroriste të Parisit në nëntor.

Por, në vazhdën e disa titujve të mediave ndërkombëtare që shkruajnë se vendi është kthyer në një shtet të dështuar, kryeqyteti belg tani ka marrë një nismë interesante.

Ajo quhet “Telefono Brukselin” dhe çdo i huaj është i ftuar të telefonojë në disa numra të vëna në dispozicion nga shteti belg, në mënyrë që të shuajë kureshtjen se ç’po ndodh në vend.

Tre janë telefonat që janë vendosur në mënyrë simbolike në tre pika kyçe të kryeqytetit. Por kush do t’i përgjigjet telefonatës tuaj? Kalimtarët e rastit.

Në ditën e dytë të kësaj nisme, organizatorët shpresojnë që njerëzit të mos ndikohen nga titujt negativë të mediave, por të kenë si burim informacioni vetë ata që jetojnë në Bruksel.

Kjo rrit edhe shpresën e rikthimit të turistëve në vend. Geert Cochez, zëvendës shefi ekzekutiv i “Visit Brussels”, thotë se jeta atje është normale, si në çdo qytet tjetër evropian, ku masat e reja të sigurisë nuk duhet të krijojnë impakt frike.

Lagjia Molenbeek, që tani njihet si qendra e terrorizmit të Belgjikës, është pajisur me një nga tre telefonat. Sipas banorëve të zonës, aty çdo ditë mund të ketë rreth 100 gazetarë që bëjnë reportazhe.

Por për njerëzit, jeta aty nuk kërcënohet nga asgjë e keqe. Por frika sigurisht që ka dhënë edhe impaktin e saj në ekonomi. Numri i vizitorëve ra me 20% në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe kjo i ka kushtuar ekonomisë plot  350 milionë euro humbje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA