Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë, si pasojë e një aksidenti të regjistruar mbrëmjen e së enjtes në rrugën Korçë-Ersekë.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të Boboshticës, teksa një automjet ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanal.
Sipas të dhënave, mjeti me targa TR 6149 T ka dalë nga rruga, ndërsa shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë lagështira në rrugë.
Burime të policisë bënë me dije se, viktima është 31-vjeçari Ergert Memo, nga Erseka, i cili ishte pasagjer, ndërsa drejtuesi i mjetit Dolor Kote, 30 vjeç, është në gjendje të rëndë për jetën.
Nga të dhënat e para mendohet se, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, çfarë ka shkaktuar edhe daljen nga rruga të mjetit, ndërsa si pasojë e dëmtimeve të shumta është dashur edhe ndërhyrja e forcave të zjarrfikëses për nxjerrjen e dy personave nga automjeti.
Top Channel