Tragjedia e krushqisë së pamundur

03/01/2016 00:00

Në fshatin Drisht të Shkodrës zija ka rënë tek të gjithë banorët. Vrasja e dy vëllezërve Abdulla dhe Skënder Shkambi i ka shokuar të gjithë.

“Dëgjova krismat dhe mendoja se ç’po ndodhte. E kam parë atë njeri që u fut brenda në shtëpi e tij me armë në dorë. Por që ai e kishte bërë atë punë nuk më shkoj në mendje”, shprehet njëri prej banorëve.

“Dëgjova të shtëna dhe mendova se po digjej ndonjë shtëpi. Më vinte oshtima sikur po bërtisnin njerëz, më pas mora vesh që kishte ndodhur vrasja”, thotë një tjetër banore.

Përpos dhimbjes banorët janë të shtangur, siç ndodh në ngjarje të tilla historia përcillet gojë më gojë pas krimit. Banorët e dinë se Skënder Shkambi kishte vetëm një javë që ishte kthyer nga Londra për të festuar me vëllezërit e tij ndërrimin e viteve.

Pas vrasjes së tij, ata mësuan se prej 6 muajsh, Esat Dushaj 31 vjeç, i njohur si Aleksandër Dushaj, këmbëngulte të martohej me vajzën 20 vjeçare të Skënderit, e cila ndodhet po ashtu në Angli. Kërkesë e cila ishte refuzuar.

“Piva kafe me Skënderin dje në mëngjes. Nuk kisha dëgjuar asgjë se ata kishin një konflikt”, thotë një banor i fshatit.

“Vajzën e kërkojnë 100 persona, por ajo një do të marrë. Kur nuk do vajza nuk mund ta fejosh atë me zor. Nuk e di si mund të vrasësh dy persona pa i bërë gjë askujt, është e habitshme”.

Dy vëllezërit Shkambi e kanë shtëpinë në anën tjetër të fshatit, ndërkohë atë ditë besohet se janë shkëmbyer me vrasësin në rrugë, teksa po shkonin tek nëna e tyre që e ka shtëpinë pranë Esat Dushajt. Besohet se aty të tre burrat kanë shkëmbyer fjalë.

Abdullai dhe Skënderi e takuan nënën e tyre për herë të fundit. Pak metra pasi dolën nga shtëpia ku kanë kaluar fëmijërinë e tyre ata u qëlluan për vdekje nga njeriu që nga këmbëngulja për t’i bërë miq i vrau.

Pak metra më tej ndodhet shtëpia e Esat Dushajt, një banesë e rrënuar. Ajo dhe banesat e kushërinjve të tij ruhen tashmë nga policia për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme. Por pavarësisht situatës së rëndë, djali i xhaxhait të Esat Dushajt, pohon se do të shkojë në varrimin e dy vëllezërve.

“Do të shkojmë pasi kemi marrë edhe lejen e tyre si familjarë sepse i kam njohur dhe i kam vëllezër. Kjo ishte një gjë e papritur, sikur qelli të kishte rënë në tokë, nuk do ta mendoja se kjo gjë do të kishte ndodhur”, shprehet Ibrahim Dushaj kushëri me Esatin.

TCH: Ka pasur konflikte kushëriri juaj?

Ibrahim Dushaj: Thjesht kishte dërguar shkesa për t’i kërkuar vajzën, ndërsa ata i kanë kthyer përgjigje negative, që nuk duan ta fejojnë.

TCH: Tani që Skënderi kishte ardhur nga Anglia, kishte tentuar ta takonte?

Ibrahim Dushaj: Ashtu e kishin lënë pas një telefonate, që do të pinin një kafe kur ai të vinte në prag të festave”.

TCH: Kishin pirë kafe?

Ibrahim Dushaj: Ky ishte kuptimi i kafes. Kështu i themi ne, me bë një takim dhe me i nda çështjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA