Një avion që fluturonte nga Mumbai në Londër është detyruar të kthehet mbrapsht në mes të fluturimit, pasi u gjet një mi në bord, raportojnë mediat lokale.
Fluturimi AI 131 që shkonte drejt Londrës ishte në qiellin e Iranit kur dikush në bord vërejti brejtësin. Pasagjerët vijuan fluturimin e tyre me një avion zëvendësues pak orë më vonë.
Air India thotë se avioni do të dezinfektohet dhe do të hetohet se si ndodhej brejtësi në bord.
Inxhinierët, vijon kompania, po hetojnë, “Por megjithatë nuk është konfirmuar prania e ndonjë brejtësi”. Kompania Air India thekson se udhëtimi u ndërpres për shkak të masave të marra në interes të sigurisë së pasagjerëve.
Minjtë mund të hyjnë rastësisht në bordin e avionit me ushqimet apo valixhet, por mund të bëhen një problem serioz teknik nëse ata hanë kabllot apo telat.
Top Channel