Pa Mbretër, mijëra qytetarë protestuan në SHBA dhe Evropë kundër Trump dhe luftës ndaj Iranit Dy persona janë arrestuar nga forcat belge të policisë, nën dyshimin se po planifikonin sulme terroriste në Bruksel në vigjiljen e ndërrimit të viteve.
Prangosja e tyre erdhi në vazhdën e “blic”-eve të ndërmarra të dielën dhe të hënën në kryeqytetin belg, si dhe në provincat e Liezhit dhe Brabantit flamand. Gjatë bastisjeve u sekuestruan veshje ushtarake e pajisje kompjuterike, por nuk u gjetën as armë e as eksplozivë.
Belgjika vazhdon të mbetet në gjendje gatishmërie të lartë ndaj sulmeve terroriste, që prej ngjarjeve të dhunshme të 13 nëntorit në Paris. Një pjesë e mirë e organizatorëve të dhunës në kryeqendrën e Francës, bazat e tyre i kishin në Belgjikë.
Arrestimet e fundit, megjithatë, nuk kanë lidhje me ngjarjet tronditëse të muajit të kaluar. Një prej të ndaluarve dyshohet se drejtonte një celulë terroriste e rekrutonte të rinj. Mbi dy të dyshuarit rëndojnë akuzat e planifikimit të sulmeve ndaj disa “shënjestrave simbolike” në Bruksel, si dhe ndaj vet policisë, tha radiotelevizioni belg “RTBF”.
Mes materialeve të sekuestruara kishte edhe elementë propagandistikë në mbështetje të ISIS-it. 4 persona të tjerë u morën në pyetje nga policia, e më pas u lanë të lirë.
Numri i të ashtuquajturve “foreign fighters” (luftëtarë të huaj) nga Belgjika me 10 milionë banorë, është relativisht i lartë krahasuar me nivelin e BE-së.
Vetëm në Francë, Gjermani dhe Britaninë e Madhe, numri i të rinjve të radikalizuar, që shkojnë drejt zonave të luftës, është më i lartë sesa atje. Vendi ka një kuotë jo të vogël popullsie emigrantësh, që vijnë nga vendet myslimane, e deri vonë, organizatat radikale islamike në Belgjikë kanë mundur të punojnë të patrazuara.
Top Channel