Armët e terroristëve; studimi: 1 në 35 persona në botë zotëron një kallashnikov

29/12/2015 00:00

Pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, xhihadistët nisën të përdornin për sulmet e tyre brutale eksplozivë të fshehur në trupat e kamikazëve apo nëpër objekte të ndryshme, për arsyen e thjeshtë se ato nuk lënë gjurmë.

Por, sulmet terroriste në vitin 2015 si ai i “Charlie Hebdo”, një tjetër në Sousse, ai ne Garrisa, Tunizi, Kopengahe apo në Paris, kishin të gjithë një emërues të përbashkët, kallashnikovin e tipit AK-47.
 
Sikurse shkruan “the Guardian” vetëm në Shqipëri, pas trazirave të vitit 1997, rreth 750,000 kallashnikovë u zhdukën pa gjurmë dhe menjëherë u bënë pjesë e tregut të zi të armëve të paligjshme. Këto armë të vjetra shpesh janë rindërtuar dhe janë përdorur nga kriminelët e terroristët për t’i shfrytëzuar për qëllimet e tyre mizore.
 
Në Europë, sulmet terroriste më së shumti janë kryer me kallashnikovë. Në ngjarjet e 13 nëntorit në Paris, kamikazët vranë pak, ndërsa numri më i madh i viktimave u shënua nga personat e armatosur.

Tani, zyrtarët e zbatimit të ligjit ngrenë pyetjen: Cili është vendi i origjinës së armëve dhe cilët janë ndërmjetësit që i shesin ato tek terroristët? Një pjesë e përgjigjes, shkruan “the Guardian”, mund të gjendet në një fshat të vogël në Ballkan nën malet e qendrore të Malit të Zi.

Më 11 nëntor policia ndaloi Vlatko Vuçeliç në një autostradë të Gjermanisë me një arsenal armësh, 2 pistoleta, 2 granata dore dhe 8 kallashnikovë. Deri tani policia nuk e ka lidhur Vlatkon me asnjë skemë terroriste, por beson se ai ishte një hallkë e saj.

Megjithëse nga një vend i vogël, tregtia e paligjshme e armëve në Mal të Zi kap vlerën e 320 milionë dollarëve. Rrugëtimi në të zezë i armëve që më vonë përfundojnë në duart e xhihadistëve apo kriminelëve, mendohet se nisë nga Mali i Zi, kalon përmes Kroacisë, Sllovenisë më pas në Austri, në Gjermaninë jugore dhe si destinacion përfundimtar ka një parking makinash në Paris.

Franca po ashtu shquhet për një mungesë të madhe të kontrollit në tregtinë e armëve. Teksa u bë një verifikim i arsenalit të përdorur nga terroristët mbrëmjen e 13 nëntorit në Paris, kallashnikovët vinin nga Ballkani. Sipas një studimi në mbarë botën janë 200 milionë kallashnikovë, ose ndryshe e shpjegon edhe raporti se 1 në 35 persona zotëron një armë të tillë.

Tregtia në të zezë e armëve ka lidhje indirekte me sulmet terroriste apo krimet. Ndonëse trafikimi i armëve nuk është edhe aq fitimprurës sa droga, edhe ai gjeneron shuma të mëdha parash. Kallashnikovët mund të blihen në Ballkan nga 300 deri në 500 euro dhe shiten në Europë nga 3500 deri në 4500 euro.

Arsyeja kryesore që i shtyn personat ndërmjetës për t’i shitur është e thjeshtë, fitimi. Por, në këtë rast, duket se nuk vlen shprehja se qëllimi justifikon edhe mjetin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA