Shumë banka turke janë bërë pre e një seri sulmesh kibernetike në ditët e fundit, të cilat kanë shkaktuar probleme serioze në shërbimet bankare dixhitale.
Lajmin e bën të ditur “Hurriyet Daily News”, që nënvizon se sulmet ndodhën në një kohë kur Turqia vazhdon përplasjen e saj diplomatike me Rusinë, si dhe pak kohë pas një paralajmërimi për sulm të grupit të piratëve informatikë, Anonymous.
Sulmi dyjavor kibernetik kundër sektorit bankar turk kulmoi më 24 dhjetor, me bllokimin e aksesit në shërbimet bankare online të disa prej institucioneve financiare me një numër të madh klientësh.
E teksa sulmet shkaktuan shqetësime në aspektin e sigurisë elektronike, burime të besueshme nga sektori bankar thanë për “Hurriyet” se piratët nuk kishin depërtuar në sisteme, por kishin krijuar trafik për të vonuar sa më shumë aksesin e klientëve në llogaritë e tyre online.
“Ata nuk kanë hyrë në sistemin bankar, ata thjesht kanë krijuar trafik për të penguar aksesin. Me pak fjalë, ata kanë ardhur deri tek dera, por nuk kanë hyrë dot. Kështu që nuk ka rrezik sa i takon sigurisë”, tha një nga burimet.
“Sulmet kibernetike nuk bëhen për para. Në shumicën e rasteve ato janë një ndërhyrje për të tërhequr vëmendjen”, tha një burim tjetër.
Ndërkohë, kompania numër një e shërbimit të internetit në Turqi, “Turk Telekom” tha për gazetëtn se, edhe pse sulmet kibernetike kanë qenë të vazhdueshme, janë marrë masa për përballimin e tyre. “Ne presim një tjetër sulm të madh si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë Turqisë”, deklaroi kompania.
Volumi ditor i shërbimeve dixhitale në Turqi vlerësohet të arrijë nga 1.5 deri në 2 miliard lira turke, 85 për qind e të cilave vijnë nga shërbimet e telefonisë së lëvizshme.
Top Channel