Siri, sulmi ajror vret krerët e grupit më të madh rebel

25/12/2015 18:25

Lideri dhe disa drejtues të një grupi të madh rebelësh sirianë, Jaysh al Islam, janë vrarë në një sulm ajror në periferi të Damaskut.

Sipas mediave ndërkombëtare, themeluesi i grupit Zahroun Alloush është mes personave të vrarë kur raketat goditën një vend takimi, duke vrarë rebelë dhe aktivistë.

Grupi islamik i mbështetur nga sauditët është një nga fraksionet më të mëdha dhe dominues në pjesën lindore të rrethinave të Damaskut.

Së fundmi ai mori pjesë në një samit të opozitës siriane të mbajtur në Riadh, që shërbeu si pikënisje për bisedimet e paqes me qeverinë.

Mësohet se 10 raketa u qëlluan në momentin kur krerët e Jaysh al Islam u takuan, raporton televizioni Al Arabiya.

Ndërsa agjencia e lajmeve “Reuters” citoi burime nga rebelët të thoshin se, sulmet u kryen nga avionë rusë, edhe pse kjo nuk është konfirmuar.

Rusia, një aleat kyç i presidentit Bashar al Assad, vijon fushatën e saj të sulmeve ajrore që prej fundit të shtatorit.

Moska zyrtare insiston se ka goditur Shtetin Islamik, por rebelët dhe Perëndimi pretendojnë se bombardimet ruse kanë goditur kryesisht grupe opozitare të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA