Policia e Korçës ka zbardhur detaje të tjera mbi vdekjen e shtetasit Jani Kollçinaku, 37 vjeç nga fshati Miras, trupi i të cilit u gjet i pajetë këtë të shtunë në afërsi të fshatit Zëmblak.
Sipas një njoftimi për shtyp nga drejtoria lokale e policisë, nga verifikimet e kryera, si edhe nga këqyrja e kufomës në morgun e spitalit ka rezultuar se ky shtetas është qëlluar me një plumb në kokë.
Gjithashtu dyshohet se vrasja mund të jetë kryer në një vend tjetër dhe jo në vendin ku u gjend trupi i viktimës.
Nga ana e strukturave të policisë është bërë shoqërimi në komisariat i disa personave, për të marrë deklaratat e tyre në lidhje me këtë ngjarje.
Shtetasi Jani Kollçinaku njihet si person me precedentë penalë të mëparshëm, pasi ka qenë i dënuar me 6 vjet heqje lirie për trafik lëndësh narkotike.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e autorësisë së krimit, motiveve dhe rrethanave në cilat ka ndodhur kjo ngjarje.
Gjithashtu, policia ka vënë në dispozicion një shumë prej 1 milion lekë për këdo që do të japë informacione të sakta që do të ndihmojnë në kapjen e autorëve, duke premtuar ruajtjen e anonimatit, në numrin e telefonit 0694102155.
Top Channel