Izraeli dhe Turqia arritën një marrëveshje në parim, për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, të ndërprera pas mësymjes së flotiljes, që tentoi të çante në 2010-n bllokadën e shtetit hebre në Gaza.
Sulmi i marinës izraelite u kushtoi asokohe jetën 10 aktivistëve turq. Mësohet se, marrëveshja parashikon kompensimin e familjeve të tyre nga Izraeli. Asnjëra nga palët nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht këtë lajm, por raportet në media tregojnë se ujdia u arrit gjatë një takimi të organizuar në Zvicër, mes zyrtarësh të lartë turq dhe izraelitë.
Ajo parasheh mes të tjerash rishkëmbimin e ambasadorëve, si dhe çeljen e bisedimeve mbi ndërtimin e një gazsjellësi të mundshëm Izrael-Turqi, çfarë është përfolur prej kohësh, duke u interpretuar nga disa zëra si një tjetër përpjekje për të dëmtuar dominimin rus të gazit.
Top Channel