Zelensky i thotë ‘jo’ zgjedhjeve: Drejt kutive të votimit vetëm nëse arrihet armëpushim Forcat kurde, të mbështetura nga sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar, arritën të zbrapsin sulmin më të fortë të militantëve të Shtetit Islamik në Irak në këto 5 muajt e fundit.
Zyrtarë amerikanë njoftuan se, luftëtarët e grupit të dhunshëm xhihadist kishin ndërmarrë të mërkurën goditje të koordinuara në disa zona pranë Mosulit. Qyteti i dytë më i madh i vendit është që prej vitit të kaluar nën kontrollin e ISIS-it.
Përplasjet kanë vazhduar deri mëngjesin e së enjtes, sqaruan burimet në fjalë, që pretendojnë gjithashtu se në betejën me kurdët kanë mbetur të vrarë 180 militantë. Ofensiva e ISIS-it nisi pasditen e dy ditëve më parë, me mësymjen e pozicioneve të “peshmerga”-ve.
Ekstremistët përdorën të gjithë arsenalin e armëve që mundën: mitralozë, makina-bombë, raketa e autoblinda. “Washington Post” citoi zëdhënësin e ushtrisë amerikane, kolonelin Steve Warren, të pohonte se ky është grushti më i fortë i lëshuar nga Shteti Islamik, që prej muajve të verës, por që kurdët arritën ta frenojnë.
Gjenerali i brigadës, Mark Odom, i cili shërben në Irak tha nga ana tjetër për “New York Times” se, goditja mund të ketë qenë thjesht një përpjekje për të trazuar planet e rimarrjes së Mosulit. Ndër zonat e shënjestruara renditet edhe Bashiqa, ku forcat turke – sipas BBC-së, – kanë stërvitur së fundi grupe kurdësh të Irakut, çfarë ngjalli mosmarrëveshje me Bagdadin zyrtar.
Të tilla zhvillime vijnë në kohën, kur Këshilli 15 anëtarësh i Sigurimit të OKB-së miratoi një rezolutë, që synon shterrimin e financimit të ISIS-it. Dokumenti i nxit shtetet të veprojnë në mënyrë energjike e të vendosur, për ndërprerjen e rrjedhjes së fondeve, që mbajnë në këmbë Shtetin Islamik, siç do të ishte bllokimi i trafikut të tij të naftës apo antikuareve.
Top Channel