Putin: S’ka shanse për përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë

17/12/2015 12:35

Presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj Turqisë, sërish lidhur me rrëzimin e avionit luftarak rus muajin e kaluar.

“Incidenti në kufirin turko-sirian ishte një akt armiqësor, por Rusia nuk është vend që zmbrapset”, deklaroi Putin në konferencën vjetore për shtyp.

Ai tha se nuk ka shanse për përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë, të cilës Rusia i ka vendosur sanksione, nën drejtimin e liderëve aktualë të saj.

“Turqit kanë vendosur t’u lëpihen amerikanëve”, u shpreh më tej shefi i Kremlinit.

Zoti Putin theksoi se, zyrtarët turq duhet të kishin marrë telefonin dhe të flisnin me rusët për shqetësimet e tyre mbi sulmet ajrore ruse në Siri.

“Turqia nuk ka arritur asgjë nga rrëzimi i avionit rus, ndërsa Rusia ka rritur praninë e saj në Siri duke vendosur raketa anti-ajrore”, shtoi Putin.

Rusia vendosi trupat e saj në Siri në shtator në mbështetje të presidentit Bashar al Assad dhe që prej atëherë ka kryer një seri sulmesh ajrore ndaj kundërshtarëve të tij.

Kjo ndërhyrje është kritikuar ashpër nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e Gjirit Arab. Zoti Putin aktualisht ndodhet në mandatin e tij të tretë në krye të Rusisë, që prej vitit 2000.

Kritikët thonë se të drejtat dhe liritë civile janë shtypur sistematikisht nga pushteti i tij, por fakt mbetet se ai vijon të jetë një ndër liderët më të fuqishëm të botës, duke u renditur në krye të listës së revistës “Forbes”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA