Britani, 18 vjet burg shqiptarit me 60 kg kokainë

17/12/2015 11:45

Një shqiptar i moshës 40-vjeçare me banim në qytetin e Lutonit, në veri të Londrës, është dënuar nga gjykata me 18 vjet burg pasi kishte tentuar të fuste në Britani një sasi prej 60 kilogramë kokainë.

Arjan Pasha u ndalua nga oficerët e policisë kufitare në prill të vitit 2014, në terminalin e tunelit nëndetar të La Manshit, pasi gjatë një kontrolli të bërë në makinën e tij tip “Mercedes” rezultoi se pjesë të mjetit ishin konvertuar për të fshehur drogë.

Policia konstatoi se pjesët e modifikuara të makinës ishin në vendin ku mbahet goma rezervë dhe poshtë saj dhe pikërisht në to gjeti 60 kg kokainë të pastër.

Siç njofton gazeta “Luton Today”, nëse do të përzihej dhe shitej në treg, sasia e narkotikëve do të kapte një vlerë prej rreth 8 milionë stërlina.

Nga provat materiale të siguruara nga telefoni celular i shqiptarit, detektivët britanikë mësuan se trafikanti kishte qenë në Spanjë dhe Amstërdam përpara se të tentonte të kthehej në Britani.

Pasha u kishte thënë detektivëve të Agjencisë britanike të Luftës Kundër Krimit, NCA, se drejtone një firmë sigurie që ofronte truproje për personalitete dhe VIP-a.

Por hetuesit britanikë zbuluan se firma e sigurisë kurrë nuk kishte funksionuar siç duhej dhe operonte nga një ndërtesë e mbyllur me çelësa në afrësi të Londrës, e cila do të përdorej për të depozituar drogën.

Paul Morgan, drejtor i Forcës së Kufirt në Britani deklaroi për shtypin vendas se, “ne e mirëpresim këtë dënim i cili do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që mendojnë se mund të sjellin drogë në Britani”.

“Oficerët tanë përdorin një sërë pajisjesh kërkimi të teknologjisë së lartë për të zbuluar substancat ilegale dhe për të penguar futjen dhe shpërndarjen e tyre në rrugët e Britanisë“, deklaroi zyrtari i lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA