Nuk dihet ende nëse është ndonjë shaka, apo diçka tjetër por në stacionin e autobusit të Vlorës është gjetur një flamur letre në të cilin ishte pikturuar një fytyrë xhihadisti, një automatik dhe një bombë.
Burime zyrtare të policië bëjnë me dije se flamuri prej letre është konstatuar në lagjen “Osman Haxhiu”, rreth orës 08.00 të mëngjesit në një kioskë për shitjen e gazetave, pranë stacionit të autobusit.
Vizatimi i bërë me stilolaps shoqërohej nga mbishkrimi “ISIS, Allahu Ekber”. Letra e gjetur ka shkaktuar panik tek të pranishmit, të cilët kanë lajmëruar menjëherë uniformat blu.
Policia bën të ditur se letra e bardhë e gjetur dyshohet të jetë shkëputur nga ndonjë libër i shkollës 9-vjeçare por që nuk është identifikuar ende. Policia ka nisur hetimet për origjinën e këtij veprimi dhe identifikimin e autorëve.
Top Channel