Obama: Po godasim ISIS më fortë se kurrë

14/12/2015 22:35

Shtetet e Bashkuara po e godasin Shtetin Islamik më fortë se kurrë, ka deklaruar presidenti amerikan Barack Obama.

Në një deklaratë të mbajtur në Pentagon, presidenti theksoi se, gjatë muajit nëntor janë kryer më shumë sulme ajrore se kurrë më parë.

“Në javët e fundit, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka vrarë disa liderë të Shtetit Islamik dhe ka sulmuar impiantet e naftës që grupi terrorist përdor për të financuar operacionet e tij”, tha Obama.

Presidenti amerikan është përpjekur të qetësojë opinionin publik në Shtetet e Bashkuara pas sulmit të armatosur në Kaliforni, ku humbën jetën 14 persona.

Sulmi u krye nga dy myslimanë radikalë, pak javë pas sulmeve me sfond islamik në Paris që u morën jetën 130 personave.

Rreth 9 mijë sulme ajrore janë kryer kundër grupit ekstremist që nga fillimi i fushatës në verë të vitit 2014.

Duke vënë në dukje se ISIS ka humbur 40 për qind të territorit që dikur kontrollonte në Irak, Obama tha se, që prej verës rrjeti nuk ka pasur një operacion të vetëm tokësor në Siri ose Irak që të ketë pasur sukses.

Ai theksoi se, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre janë përballur me “një luftë të vështirë përpara”. Më tej, duke përdorur një tjetër akronim për grupin, ai tha:

“Thelbi i kësaj është se liderët e ISIL-it nuk mund të fshihen dhe mesazhi ynë për ta është i thjeshtë: ju jeni shënjestra jonë e radhës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA