Londër, gjobitet në mënyrë ekzemplare ndërtuesi i paligjshëm

14/12/2015 21:55

Një ndërtues anglez që kishte ngritur një godinë 6-katëshe në lagjen Hoxton, në Londrën qendrore, dhe që kishte injoruar kërkesat për prishjen e  saj për vite të tera, ka marrë një dënim ekzemplar nga gjykata.

Yusuf Sarodia është gjobitur me 735 mijë sterlina, që është shifra më e madhe e dhënë ndonjëherë për ndertimet pa leje, edhe pse në Britani kjo është diçka që ndodh rrallë.

Ndërtuesi në fjalë, sipas shtypit vendas, kishte që në gusht të vitit 2011 që ishte në betejë ligjore me Këshillin e lagjes Hackney. Para 4 vjetësh ai u urdhërua të prishte ndërtesën 6-katëshe, kërkesë që ai e kishte injoruar.

Këshilli i lagjes kishte deklaruar se, nëse ndërtesa e paligjshme, e cila ka 34 aparatmente bosh, nuk shkatërrohej, do të kërkonte masa të tjera.

Pushteti lokal do të marrë një të tretën e gjobës së vënë ndërtuesit nga gjykata dhe dy të tretat do të ndahen mes Gjykatës dhe zyrës së Thesarit të Shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA