Kanë nisur në Itali bisedimet që kanë si qëllim t’i bindin fraksionet rivale në Libi që të formojnë një qeveri uniteti dhe t’i japin fund muajve të kaosit në vend.
Aktualisht, Libia ka dy qeveri rivale, një në Tripoli dhe një tjetër në lindje të vendit. Por është shtuar gjithnjë e më shumë shqetësimi se Shteti Islamik që ka një bazë në qytetin Sirte, po përfiton nga mungesa e stabilitetit në Libi.
Sekretari amerikan i Shteti, John Kerry, një nga organizatorët e bisedimeve, është mes atyre që po nxisin grupet rivale në Libi që të implementojnë një plan të OKB-së për paqe.
Delegatë nga dy administratat kundërshtare, që mbështeten nga milici të ndryshme, ranë dakord pas bisedimeve në Tunizi që të firmosin një pakt për krijimin e qeverisë së unitetit.
Asnjë nga dy parlamentet e Libisë nuk ka votuar për planin e OKb-së, por analistët thonë se mbase ky plan mund të miratohet në Romë pa pasur nevojë për votën e legjislativëve.
Një nga masat e planit është krijimi i një këshilli presidencial me 9 anëtarë dhe i një parlamenti. Ekspertët thonë se forcimi i Shtetit Islamik në Libi ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar që tani kërkon të stabilizojë këtë vend për t’ju kundërvënë terroristëve. Libia është në kaos që prej vrasjes së ish-sundimtarit të saj Muammar Gaddafi në vitin 2011.
Top Channel