Me një shumicë dërrmuese votash, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan ka miratuar ndryshimet në regjimin e lëvizjes pa viza për qytetarët e 38 vendeve të botës. Ndryshimet e reja po bëhen në kuadër të masave kundër terrorizmit.
Po ashtu, projektligji parashikon ndalimin e hyrjes ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjithë personat të cilët gjatë 5 viteve të fundit kanë vizituar Sirinë, Irakun apo ndonjë “vend tjetër që përbën shqetësim” për vendin.
Propozimet e reja janë pjesë e programit të ndryshimit të heqjes së vizave që lejon aktualisht qytetarët e 38 vendeve të botës të udhëtojnë lirshëm drejt SHBA-ve, madje të qëndrojnë për tre muaj në vend pa nevojën e një vize.
Por mesa duket kjo do t’i përkasë të shkuarës, pas incidentit terrorist të San Bernardino, ku 14 persona humbën jetën dhe 17 u plagosën. Ndërkaq të gjitha të dhënat e personave që do të marrin vizë për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara, do të skanohen në bazë të të dhënave të Interpolit, për të kuptuar nëse kanë lidhje me terrorizmin apo veprimtari të tjera kriminale.
Kongresi Amerikan i ka paraprirë edhe problemit të falsifikimit të pasaportave. Ndryshimet e reja kërkojnë që të gjithë ata që do të aplikojnë për vizë amerikane, do t’u duhet të pajisen me “e-passaports”, të cilat përmbajnë informacione biometrike. Dokumentacionet do të quhen të ligjshme pasi ato të skanohen. Por sipas disa republikanëve, kjo çështje hap edhe diskutimin e rëndësishëm se “çdo të bëjë Amerika me refugjatët?
Në anketën e fundit, 41 përqind e amerikanëve thanë se SHBA-të e kanë për detyrë morale të ofrojnë azil për njerëzit që kërkojnë t’i shpëtojnë dhunës apo persekutimit politik, ndërsa 55 përqind nuk ishin kundra këtij fakti. Lëvizja e lirë deri më tani i ka hapur rrugët e rreth 20 milionë turistëve për të vizituar SHBA-të çdo vit.
Megjithatë propozimet e reja të Dhomës së Përfaqësuese, përpara sesa të miratohen, duhet të kalojnë në Senat e po ashtu duhet të marrin veton e Presidentit amerikan, Obama.
Top Channel