Për herë të parë që prej nisjes së sulmeve ajrore në territorin e Sirisë ndaj militantëve të Shtetit Islamik, Rusia ka kryer sulme me raketa të nisura nga një nëndetëse në detin Mesdhe.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri rus i Mbrojtës, Sergei Shoigu, i cili tha se sulmet me raketa nga nëndetësja janë kryer në dy pozicione të militantëve në Raqqa.
“Ne mund të themi me bindje të plotë se i kemi shkaktuar dëme serioze ISIS në depot e armatimeve të tyre, në një fabrikë, si dhe në infrastrukturën e naftës, tha ministri rus, Shoigu.
Raqqa, në veri të Sirisë, është shpallur si kryeqytet i grupit islamik të ISIS. Shoigu shtoi gjithashtu se Rusia kishte informuar paraprakisht SHBA-të dhe Izraelin për sulmet me raketa.
Rusia filloi sulmet ajrore në Siri në muajin shtator të këtij viti, duke pretenduar se kjo i ishte kërkuar nga Presidenti ti Sirisë, Bashar al-Asad. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës thotë se Rusia ka kryer shpesh sulme ndaj pozicioneve të opozitës së moderuar siriane, e cila lufton qeverinë siriane dhe Shtetin e Islamik.
Në anën tjetër, Rusia thotë se ka bombarduar terroristët, por të paktën disa nga sulmet ajrore kanë goditur civilë si dhe rebelët e mbështetur nga Pentagoni, sipas aktivistëve sirianë.
Top Channel