Përvjetori i Ditës së Rinisë, Rama: Historinë e bëjnë institucionet

08/12/2015 11:00

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, që përkon me 25-vjetorin e rënies së komunizmit në vend dhe lëvizjes së dhjetorit, presidenti i Republikës, Bujar Nishani bëri bashkë në një konferencë me titull “Shqipëria, 25 vite nga rënia e komunizmit” një sërë emrash të njohur, mes të cilëve diplomatë dhe politikanë të huaj.

Në këtë mes ishin dhe kryeministri i vendit Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në fjalën e mbajtur, Rama solli në vëmendje se disa shtete e kapën shpejt trenin e BE-së dhe se për Shqipërinë sfidë mbetet integrimi i vendit. Sot, tha ai, mund të nxjerrim dy mësime.

“Mësimi i parë për të nxjerrë nga këto 25 vite është se dallimin nuk e bën klima, gjeografia dhe as historia e njerëzve. E bën historia e institucioneve. Së dyti, besoj se mund ta ndajmë pa vështirësi edhe pse mund të mos jemi dakord, se kultura e bashkjetesës sonë në këto 25 vjet e ka vuajtur shumë të shkuarën komuniste. Për fat të keq, në këto 25 vjet ne nuk jemi çliruar nga kjo. Edhe pse sot jetojmë në një sistem që nuk burgos, nuk pushkaton, nuk syrgjynos e nuk persekuton fizikisht, është fakt që ne kemi vazhduar të merremi më tepër me mesazherin sesa mesazhin”, deklaroi Rama.

Ndërsa Sali Berisha theksoi se, pavarësisht vështirësive me të cilat jemi përballur e përballemi ende, këto 25 vjet kanë qenë vite të bekuara sepse kanë qenë vitet e lirisë së shqiptarëve.

“Në këto 25 vjet Shqipëria ia doli të vendosë ekonominë e tregut, të ngrejë institucionet e shtetit ligjor. Ia doli të anëtarësohet në NATO dhe të marrë statusin e kandidatit. Unë jam dëshmitar i këtyre zhvillimeve dhe transformimeve të mëdha. Megjithatë, sot ne përballemi me dy armiqtë kryesorë të qënies sonë dhe këta janë korrupsioni dhe krimi i organizuar”, tha Berisha.

Në konferencë ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan Donald Lu, i cili përcolli mesazhin e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.

“Në emër të presidentit Obama dhe popullit amerikan ju bëj urimet më të sinqerta të gjithë shqiptarëve në Ditën Kombëtare të Rinisë. Sot Shqipëria është aleate e NATO-s, duke kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Shqipëria është gjithashtu në rrugën e integrimit të plotë europian, duke bërë reformat e nevojshme në përforcimin e institucioneve të saj demokratike dhe krijimin e një tregu të lirë ekonomik”, citoi Lu sekretarin Kerry.

Në konferencë nuk mungoi as fjala e kancelares gjermane Angela Merkel, apo ajo e europarlamentares Doris Pack.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA