Obama: Liria, më e fortë se frika. Myslimanët, aleatët tanë kundër terrorizmit

07/12/2015 08:20

Në një fjalim të rrallë nga Dhoma Ovale, mbajtur pas masakrës së San Bernardinos ku humbën jetën 14 vetë, Barack Obama u kërkoi amerikanëve të mos bien prè e përçarjes.

“Liria është më e fuqishme se frika”, ishte mesazhi i shefit të Shtëpisë së Bardhë. “Udhëheqësit myslimanë duhet të punojnë me ne, për të kundërshtuar ideologjinë e urrejtjes, që përhapin al Kaeda e ISIS-i. Është përgjegjësi e amerikanëve të të gjitha besimeve, – deklaroi ai, – që  të mos bien prè e nocionit se, besimtarët myslimanë duhet të trajtohen ndryshe nga të tjerët. Kjo i shkon për shtat Shtetit Islamik, jo neve”.

“Shtetet e Bashkuara do ta përballojnë kërcënimin terrorist, por amerikanët nuk duhet të hidhen kundër njëri-tjetrit, duke e lënë këtë betejë të përkuzifohet si luftë mes Amerikës dhe Islamit. Nëse duam të jemi të suksesshëm në mposhtjen e terrorizmit, komunitetet myslimane duhet t’i rreshtojmë tek aleatët tanë më të fuqishëm, e jo t’i largojmë përmes dyshimit dhe urrejtjes”, tha Obama.

Obama i kujtoi publikut, të cilit iu drejtua me këtë fjalim se, myslimanët e Amerikës janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë së Shteteve të Bashkuara.

“Mos harroni se ka burra e gra prej tyre, të veshur në uniformë, e që janë gati të japin jetën për këtë vend. Këtë duhet ta mbajmë në mend mirë, të gjithë”, deklaroi më tej ai.

Presidenti amerikan paralajmëroi se, kthimi kundër komuniteve myslimane të Amerikës është pikërisht ajo çfarë dëshirojnë të arrijnë ekstremistët e Shtetit Islamik. “ISIS-i është një kancer, – deklaroi ai, – por ne do ta mundim”.

Përmes këtij gjesti solemn dhe simbolik, siç ishte hyrja në shtëpitë e amerikanëve mbrëmjen e së dielës, duke u folur nga Dhoma Ovale – simboli i pushtetit të Shtëpisë së Bardhë, – Obama kërkoi t’i jepte një impuls pozitiv popullit të vet, edhe pse nuk njoftoi asnjë strategji të re apo ndonjë masë të jashtëzakonshme në luftën kundër Shtetit Islamik dhe terrorizmit të brendshëm.

Sulmi i Kalifornisë ngriti pikëpyetje të mëdha rreth personave që radikalizohen brenda vendit, ndërsa sipas FBI-së nuk ka ende të dhëna, që të tregojnë se dy autorët ishin pjesë e një rrjeti më të gjerë terrorist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA