Francë, fiton Le Pen. E djathta ekstreme merr 30.8 për qind

07/12/2015 00:00

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale në Francë u qëndrojnë besnike sondazheve: edhe një herë, Fronti Nacional trondit skenën politike të vendit, me triumfin e tij në testin e parë zgjedhor, që prej sulmeve të 13 nëntorit në Paris, ku humbën jetën 130 vetë.

Partia e ekstremit të djathtë kryeson në të paktën 6 prej 13 rajoneve të Francës kontinentale, e ndjekur nga republikanët e ish-Presidentit, Nicolas Sarkozy, e duke spostuar në vend të tretë socialistët në pushtet të Presidentit Francois Hollande.

Popullariteti i shefit të Elizesë shënoi rritje të ndjeshme, pas qëndrimit të ashpër që ai mbajti në vazhdën e masakrës së Parisit, megjithatë mbështetja e francezëve për Partine Socialiste në përgjithësi vazhdon të mbetet e ulët.

“Exit poll”-et e para tregojnë se, forca politike e Marine Le Penit ka siguruar rreth 30.8% të votave, Partia Republikane 27.2% dhe ajo Socialiste 22.7%. Dukshëm e kënaqur, Le Pen u tha mbështetësve të saj se, ky ishte një rezultat i mrekullueshëm, i cili provon se Fronti Nacional është padyshim partia e parë në Francë. 47-vjeçarja, që kandidoi në rajonin verior Nord-Pas-de-Calais-Picardie dhe mbesa e saj, Marion Marechal-Le Pen, garuese ne Provence-Alpes-Cote d’Azur në jug, kanë marrë së bashku më shume se 40% të votave, duke thyer çdo rekord të mëparshëm të kësaj force politike.

Mesazhi i raundit të parë të zgjedhjeve rajonale franceze ishte i thjeshtë dhe i qartë: ekstremi i djathtë është sërish i preferuari i votuesve. Për të tretën herë brenda një viti e gjysmë, Marine Le Pen ka të drejtën të deklarojë me të madhe se, Fronti i saj Nacional është partia më popullore në vend.

Për një lëvizje si kjo, të konsideruar deri vonë si të dorës së dytë, performanca është befasuese. Sulmet e Parisit kanë luajtur padyshim rol në një fitore të tillë bindëse, megjithatë do të ishte e gabuar, që triumfi i Le Penit t’i faturohej vetëm frikës së francezëve nga terrorizmi.

Fronti Nacional, në fakt, është prej 4 vitesh në një rritje të ngadaltë, por të pafrenuar, e kjo lidhet me faktin se, problemet që shqetësojnë votuesit në vend, më shumë sesa të lidhura me sigurinë, kanë një sfond ekonomik dhe social.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet një javë më pas, më 13 dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA