Masakra në San Bernardino, ISIS merr përsipër përgjegjësinë

05/12/2015 13:15

Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit në qendrën mjekësore në San Bernadino të Kalifornisë. Me anë të një njoftimi në një nga faqet e tyre online, ISIS pohon se dy nga personat që hapën zjarr kishin lidhje me Kalifatin.

Ky është kthyer në ritualin e terroristëve, të cilët pasi kryejnë sulmet postojnë statuse në internet ku marrin autorësinë. Por ende pa e pranuar aktin terrorist, FBI kishte indikacione të forta se sulmi që i mori jetën 14 personave dhe që la 21 persona të plagosur mbante vulën e ISIS.

Të gjitha pistat e hetimit e çuan policinë dhe FBI-në të besojnë se personat që ndërmorën sulmin kishin lidhje me kalifatin islamik. Personi i tretë mbetet ende në kërkim, ndërsa 2 agresorët, çifti Syef Rizëan Farook dhe Tashfeen Malik gjetën vdekjen si pasojë e përleshjeve me armë zjarri me policinë.

Arsenali i armëve i gjetur në shtëpinë e çiftit, apo fishekët e plumbave nuk janë dëshmia e vetme se ata mund të kenë qenë të radikalizuar.

Postimet në Facebook të gruas, Tashfeen Malik, dëshmojnë për lidhje të saj me ISIS. Kjo ishte gruaja e dyte e Farook, të cilën 27-vjeçari e kishte njohur në Arabi në vitin 2013, për t’u rikthyer në Amerikë së bashku me të në vitin 2014.

Për nëndrejtorin e FBI-së David Bowdich, nuk dihet nëse ishte pikërisht ajo që radikalizoi bashkëshortin e saj, ndaj edhe zyrtarët nuk aluduan për këtë çështje. Tashmë FBI po investigon edhe 2 telefona të gjetur në një kosh plehrash, pranë qendrës mjekësore ku ndodhi edhe sulmi masiv.

Hetuesia dyshon se ka patur telefonata me persona të tretë pak përpara agresionit, ndaj edhe nëse verifikohen bisedat, ato do të jenë një pikë kyçe e hetimit të sulmit që vrau 14 persona dhe la të plagosur 21 të tjerë në San Bernadino.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA