Franca ka vënë në shënjestër stadiumin e qytetit të Rakës, në veri-lindje të Sirisë, i cili ndodhet në duart e militantëve të Kalifatit.
Burime ushtarake të cituara nga “Le Figaro” deklarojnë se në bodrumet dhe poshtë tribunave të stadiumit ekzistojnë struktura të larta të Shtetit Islamik.
Sipas zyrtarëve, këto të dhëna janë siguruar nga informatorë, të arratisur dhe persona që janë mbajtur të burgosur aty brenda.
Sipas gazetës franceze, shërbimet sekrete kanë konstatuar në muajt e fundit një aktivitet të gjerë elektronik në sektorin e impiantit sportiv, një tregues ky i konsideruar i rëndësishëm për lokalizimin e elementëve xhihadistë.
Prej këtej nisën edhe urdhërat për njësitë dhe bërthamat e luftëtarëve. Bëhet fjalë për një qendër komande të përbërë nga zyra dhe depozita të kthyera në baza të mirëfillta, ndërsa pjesë të tjera përdoren si burg.
Dyshohet se këto ambjente ishin krijuar nga regjimi sirian, që gjatë kohës që kontrollonte qytetin kishte krijuar qeli për të burgosurit politikë.
Qeveria e Parisit ka dërguar disa herë avionët ushtarakë për të bombarduar zonën e Rakës, një aksion që ka hyrë në fushatën e koalicionit, por edhe si një hakmarrje për masakrën e terroristëve të 13 nëntorit.
Gjithashtu, shërbimet sekrete kanë mbledhur të dhëna të rëndësishme për praninë në qytet të xhihadistëve të shumtë francezë, disa prej të cilëve të përfshirë në plane për atentate të tjera.
Ndërkohë, një tjetër aspekt interesant, sipas “Le Figaro”, është fakti se një delegacion i shërbimeve francezë ka shkuar së fundmi në Damask për bisedime me homologët sirianë.
Një vizitë që synonte pikërisht marrjen e planimetrive të stadiumit, por që sipas gazetës, është zhvilluar në një atmosferë “të ftohtë” mes palëve.
Top Channel