Francë, mbyllet një tjetër xhami. Autoritetet: Vatër për rekrutimin e ekstremistëve

02/12/2015 22:00

Franca vijon të jetë në gjendje emergjence pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit. Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, deklaroi se një tjetër xhami u mbyll në lindje të Parisit, pas dyshimeve se ishte një vatër për rekrutimin dhe përgatitjen e ekstremistëve të rinj të ISIS.

Oficerët e sigurisë gjetën dokumente të xhihadistëve brenda në xhami , ku 9 persona u dënuan me arrest shtëpie, e ndërsa 22 të tjerë u ndalua largimi nga vendi. Kjo është xhamia e tretë që u mbyll brenda pak ditësh. Javën e kaluar në vend u mbyllën 2 xhami të tjera, pasi sipas autoriteteve aty predikohej radikalizmi ekstremist, njëra në veriperëndim të Parisit e ndërsa tjetra në Lion. Po ashtu, një tjetër operacion po zhvillohet në qytetin turistik të Nice, me të njëjtat dyshime për lidhje me ISIS.

Franca deri më tani ka ndërmarrë operacionin antiterrorizëm më të madh në vend. Policia ka kontrolluar 2,235 shtëpi, ka dërguar  232 persona në paraburgim dhe ka konfiskuar 334 armë zjarri.

“Në 15 ditë ne kemi sekuestruar një të tretën e sasisë së armëve të paligjshme,  numër ky që më parë arrihej në një vit”, tha Bernard Cazeneuve, ministri i Brendshëm i Francës.

Ndërkohë që të dielën në Francë do të mbahen zgjedhjet rajonale, si testi i parë për popullaritetin e Francois Hollande pas sulmeve terroriste të Parisit. Por sondazhet e fundit tregojnë një rritje të fortë të mbështetjes për Marine Le Pen, të Frontit  Kombëtar, duke rritur njëkohësisht edhe frikën se partitë e ekstremit të djathtë mund të çojnë Europën drejt një krize të re.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA