Studentët dhe nxënësit shqiptarë kanë protestuar të mërkurën në qytetin e Bujanocit, duke kërkuar që të kenë libra në gjuhën shqipe.
Ata thanë se duhen kthyer librat që janë bllokuar në doganat e Serbisë si donacion nga Kosova, për të cilat Beogradi thotë se kanë përmbajtje problematike.
Nëpër shkolla megjithatë ka probleme dhe nxënësit mësojnë me metoda shënimesh të shkruara, pa libra për të rilexuar lëndët.
“Është një gjë shumë e rëndë, sepse gjatë orës ne nuk mund të marrim çdo gjë që është në libër, por vetëm hollësitë, ndaj dhe shumë gjëra mbeten pa shpjeguar”, thotë nxënësja Anita Halimi.
“Na mungojnë librat sepse kjo është një shkollë shqipe dhe duhet pasur libra shqip”, shprehet nxënësi tjetër Elmirjon Rexhepi.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu tha se shqiptarët nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre derisa të ketë problem me mësimin në shqip.
“Serbët mësojnë me tekste të Serbisë, pa pasur asnjë problem. Pse të ndalohet libri shqip në Luginën e Preshevës? Kjo tregon qartë se Serbia nuk ka vullnet të zgjidhë problemet e shqiptarëve”, deklaron Musliu.
Qeveria e Serbisë për herë të dytë ka ndaluar librat nga Kosova, të cilët i konsideron ilegalë në sistemin arsimor serb.
Top Channel