Një shpërthim ka tronditur Athinën rreth orës 03:35 minuta të së martës. Shpërthimi ka ndodhur në rrugën “Ksenofondos”, vetëm pak metra larg sheshit “Sindagma”.
Policia thotë se objektiv i autorëve të këtij sulmi ishte godina e dhomës së industrialistëve grekë që ndodhet pikërisht në numrin 5 të rrugës “Ksenofondos” në qendër të Athinës.
Autoritetet thanë se persona të pa njohur telefonuan në redaksitë e dy gazetave, duke njoftuar për vendosjen e bombës në qendër të Athinës.
Policia në Greqi është gati prej dy javësh në alarm të kuq, pikërisht prej informacioneve se po përgatitet një sulm terrorist dhe telefonata është marrë shumë seriozisht, duke mbyllur brenda pak minutash gjithë qendrën e Athinës.
Ashtu siç këta persona kanë paralajmëruar, bomba shpërtheu. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por dëme materiale, ndërsa Athina u zgjua më herët këtë mëngjes.
Autoritetet helene e veçojnë ngjarjen nga aktet terroriste të ndodhura në France apo vendet e tjera perëndimore. Burime policore thanë se dyshimet e para kanë të bëjnë me një organizatë të majtë të karakterit marksist dhe anarkist dhe jo me ndonjë celulë islamike.
Ende asnjë organizatë nuk e ka marrë përgjegjësinë e këtij shpërthimi në qendër të Athinës.
Top Channel