Situata vazhdon të jetë e rëndë në disa zona të Tiranës si pasojë e reshjeve të shiut të rëna gjatë kësaj të diele. Gjendja duket më e rëndë në zonën e Bregut të Lumit për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Tiranës.
Mësohet se Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile ka evakuuar 16 familje rome me 64 pjesëtarë në total. Familjet u strehuan tek Qendra e Romëve tek ish-Uzina Kimike.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka bërë të ditur me anë të një deklarate për mediat se është në gatishmëri të plotë për situatën e krijuar nga reshjet. Gjithashtu njoftohet se edhe nga shërbimet e Komisariatit Nr.4 janë evakuuar nga zona e “Kafes së Rremës” 6 familje dhe një nga “Ura e Babrroit”.
Moti i keq në kryeqytet ka ndikuar edhe në furnizimin me energji elektrike, duke sjellë probleme në rrjet. OSHEE njofton se aktualisht janë të paktën 7 zona, kryesisht në zonën e Laprakës, Selitës, ish- uzinës Dinamo, por edhe në Farkë, ku ka probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ku punonjësit e saj janë duke kryer punime në terren për të rikthyer normalitetin.
Top Channel